Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka reaguar pas kapjes së një sasie të re armatimi, municionesh e pajisjesh tjera ushtarake gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës, gjë e cila tregon gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Sveçla ka theksuar se pandalshëm do të vazhdohet deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës së Kosovës.
Postimi i plotë:
Vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë.
Armatimi i zbuluar sot bën pjesë në arsenalin e Zveçanit dhe Banjskës. Në kuadrin e aktivitetit policor, sot u zhvilluan bastisje në shtatë lokacione në veriun e vendit tonë.
Granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë për ne dhe për opinionin ndërkombëtar gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist.
Ne pandalshëm dhe me energji shtesë do të vazhdojmë deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Republikës.