Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kaq mjekë lëshuan Kosovën, rrezik që institucionet shëndetësore brenda pak viteve të mbesin pa ta

 
   

Mbi 60 mjekë kanë lëshuar Kosovën në gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ndërkaq, rrezikohet që institucionet shëndetësore sekondare dhe ato terciare, brenda pak viteve të mbesin pa profesionistë shëndetësor. Faktorët që po kontribuojnë në këtë fenomen përfshijnë papunësinë, mungesën e investimeve në infrastrukturën ligjore, kushte të papërshtatshme pune dhe cilësinë e ulët të shkollimit specialistik.

Kështu thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu derisa potencon se dallojnë arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova në vitin 2023 dhe këtë vit.

Sejdiu: 64 mjekë kanë lëshuar Kosovën brenda gjashtë muajve

“Ky trend është duke vazhduar njëjtë përkundër që është pritur se për shkak të liberalizimit të vizave, mundësisë së kontaktit më të madh, do të rritet ky numër, por jo. Deri më tani, në gjashtëmujorin e parë i kemi 64, që përafërsisht është i njëjtë me vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë rreth 167 që i kanë marrë vërtetimet që u duhen për punësim jashtë…Cilat janë arsyet kryesore që mjekët po dalin jashtë Kosovës? Me vitin 2023 kanë ndryshuar pak arsyet në aspektin e rritjes së pagave, është ndalë tendenca e specialistëve të rinj që të largohen, pasi që rroga e tyre është rritur ndjeshëm…Punësimi është arsyeja kryesore, papunësia. Sepse kemi mbi 450 mjekë të pa punë, që është e pa pranueshme për një shtet si Kosova kur kemi nevojë për mjekë të rinj sidomos në sektorin primar, ku një pjesë e madhe e ambulantave apo edhe QKMF-ve në disa qytete të vogla vuajnë për ta. Por, nuk i pranojnë. Pastaj, janë kushtet e punës”, thotë Sejdiu.

Sejdiu thekson se brenda dy apo tri viteve do të vërehet dukshëm mungesa e mjekëve në nivelin sekondar dhe atë terciar. Përveç trendit të braktisjes së vendit të punës, ai tregon se këtë vit do të pensionohen rreth 100 mjekë.

Sejdiu potencon se me këtë trend të mungesës së sigurisë profesionale do të ketë tendenca të lëvizjes së profesionistëve shëndetësor nga sektori publik në atë privat.

Sejdiu: Rrezik që institucionet të mbesin pa mjekë

“Brenda dy viteve nëse jo, tri më së shumti do të vërehet mungesa e tyre tani në sektorin sekondar dhe atë terciar…Tanimë, vjen faza kur gjatë këtyre viteve është një numër i madh i mjekëve që pensionohen. Vitin e kaluar kanë qenë 91, sivjet janë afër 100 që pensionohen. Për çdo vit vdesin deri në 20 mjekë, që janë të punësuar. E kemi një minus 120 mjekë në vit në Kosovë. Nëse kësaj i shtojmë e zëmë 100 të cilët largohen prej Kosovës, i bie rreth 220 mjekë në vit prej largimit të sistemit…Kur e kemi parasysh që maksimumi bashkë me Tetovën e Tiranën, Prishtina prodhon rreth 200 mjekë (në vit), jem në minus menjëherë. Kurse, në nivelin terciar ajo është fazë tjetër, që unë mendoj që brenda dy-tri viteve më së shumti do të fillojnë edhe mungesat e mëdha. Nëse vazhdon ky trend i mungesës së sigurisë profesionale, zhvillimit të profesionit lirshëm në institucionet shëndetësore, atëherë do të rritet prapë tendenca. Nuk është vetëm ana financiare që i mbanë në sektorin publik, jo. Atëherë do të kemi tendenca prapë për largimin në sektorin privat, jo për të holla por për rehati”, thekson Sejdiu.

Sejdiu thotë se mungesa e furnizimit me barna dhe materiale, salla operative si dhe mungesa totale e një sistemi shëndetësor janë disa nga sfidat me të cilat përballën mjekët në Kosovë.

Sejdiu: Mungesa e kushteve të punës po u kushton mjekëve me sulme nga pacientët

“Problemi më i madh është qetësia apo ambienti i qetë për punë. Ajo do të thotë furnizim me rregull me barna dhe materiale, furnizim i rregullt me nevojat e sallave operative këtë rast, qasja më e lehtë edhe për pacientin. Prandaj, për shkak të këtyre edhe ndodhin konfliktet e ndryshme, sulmet ndaj mjekut dhe personelit shëndetësor në përgjithësi. Për shkak të këtyre mungesave, mos rregullimeve, mungesës totale të një sistemi shëndetësor, nga këto pësojnë të gjitha, si dhënësit e shërbimeve edhe marrësit e shërbimeve”, potencon Sejdiu.

Gjatë vitit 2023 rreth 170 mjekë kanë lëshuar vendin e tyre të punës në Kosovë, për të dalë jashtë vendit.