Kaq persona janë helmuar nga ushqimi në një restorant të Gjilanit

 

22 persona janë helmuar në një restorant në Gjilan. Të helmuarit prej ushqimit janë shtirë në Spitalin rajonal të Gjilanit, ku po marrin shërbime mjekësore.

G.RR, një prej personave që është helmuar po shtrihet në spital, i ka thënë Indeksonline-t, ndërsa rasti ka ndodhur para 5 ditësh në një restorant në Gjilan, si pasojë e ushqimit të prishur.

“Kanë kaluar qe pesë ditë, unë jam ende këtu në spital për shkak të helmimit nga ushqimi i restorantit. Simptomat që kam pas kanë qenë ethe, temperaturë, jashqitje, ngerçe në stomak, vjellje e marramendje. Janë edhe të tjerët, duke marrë trajtim këtu dhe të gjithë kanë simptomat e njëjta. Dy ditë rresht kush ka ngrënë ushqim në restorant janë helmu prej mishit ose sosit”, ka thënë ai, duke apeluar për kujdes ndaj ushqimit se ku konsumojnë.

Rastin e helmimit e ka konfirmuar edhe Spitali rajonal i Gjilanit.

Shefi i Departamentit të emergjencës, Ukshin Ismajli, për Indeksonline-n, ka thënë se rasti i 22 të paraqiturve në spital nga analizat ka rezultuar me infeksion, përkatësisht helmim.

“Të hënën janë paraqitur në spital dhe gjatë kontrollit është vërejtur se kemi të bëjmë me një helmim, ushqim mëngjesi. Mikrobiologu është marrë me rastin dhe analizat prej pacientëve kanë rezultuar se kemi të bëjmë më një infeksion, përkatësisht helmim. Për trajtim mjekësor dhe shtrirje në janë 22 persona. Shumica prej tyre janë lëshuar deri tashti”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, një prej të të helmuarve ka hapur rast edhe në policinë në rajonit të Gjilanit.

Zëdhënësi i policisë për këtë rajon, Ismet Hashani, në një përgjigje për Indeksonline-n ka thënë se një person ka deklaruar në polici për helmimin.

“Ankuesi M.K.SH, ka deklaruar në Policinë e Kosovës në Gjilan, se me 24.08.2019, kishte ngrënë ushqim në lokalin ‘Grill House”, kurse me 25.08.2019, ka filluar të kishte probleme shëndetësore, kurse më 26 është shtrirë në Spitalin rajonal të Gjilanit, Reparti i infektives”, ka thënë Hashani.

Ky rast në polici është klasifikuar si “Prodhim dhe vënie në qarkull i artikujve të dëmshëm ushqimor”.

Kujtojmë se para disa muajsh rreth 100 persona janë helmuar edhe në Drenas, shkaku i ushqimit në një gjellëtore në qytet.

 

——————————————–
Ju pëlqeu “Kaq persona janë helmuar nga ushqimi në një restorant të Gjilanit”?
Komentoni ose shpërndane me shoqëri.