Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kastrati: Kishat ortodokse serbe në Kosovë çerdhe për terroristët

 
   

Ish-gjenerali Kadri Kastrati ka thënë se objektet fetare që nga e kaluara kanë qenë caku i përgatitjeve të sulmeve terroriste nga ana e Serbisë. Ai ka përmendur përvojën e tij si pjesë e Ushtrisë së Kroacisë kundrejt shtetit serb. Kastrati ka thënë se pikërisht i njëjti rast është përsëritur në Kosovë, teksa objektet fetare serbe në vendin tonë i ka quajtur çerdhe të terrorizmit.

“Unë kam qenë pjesëtar i ushtrisë kroate në luftën ndaj Serbisë dhe të gjitha aktet terroriste të serbëve kanë nisur nga institucionet fetare, kishat e manastiret. Edhe në Kosovë e di saktë që kishat ordotodokse serbe kanë qenë çerdhe, depo ku janë planifikuar e strehuar terroristët serbë”, ka deklaruar Kastrati.

Tutje, ai, ka komentuar shenjën e KFOR-it në një prej autoblindave të terroristëve serb, duke thënë se ky është një kamuflim dhe se ata janë të gatshëm të përdorin çfarëdo shenje identifikuese për t’i arritur qëllimet e tyre.

“Kjo nuk kishte mundur kurrë të ndodhë pa përkrahjen direkte të Beogradit. Ne e dijmë që ata edhe e kanë reklamuar brigadën e veriut siç e quajtën ata, e kanë edhe strukturën e vet ushtarake. Një brigadë e lehtë këmbësorike i ka 1800-2000 veta, ashtu që 2000 veta për t’i armatosur nevojitet shumë sasi dhe armatim i kalibrave të ndryshëm. Janë paramenduar dhe përgatitur edhe njerëzit paramilitarë, mercenarë që kanë qenë të gatshëm t’iu përgjigjen ftesave për të hyrë në Kosovë”, ka thënë tutje ai në “RTK Prime”.

Përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë në këto aksione e ka konfirmuar edhe ish-kryeinspektori në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Shkëlzen Sopjani.

“Këtu kemi përfshirje të drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe strukturave shtetërore të Serbisë sepse e pamë armatimin dhe ushtarët, të cilët janë më shumë se 30, në terma ushtarak më shumë se një tog. Dje dolën disa fotografi të atyre pjesëtarëve që ishin pjesëtarë të njësitit ‘Kobra’, pra kemi parë pjesëtarë jashtëzakonisht të përgatitur. Mbi bazën e kësaj kjo s’ka qenë sporadike siç pretendonte Vuçiq”, tha Sopjani.

Ndërkaq, anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Arbër Rexhaj foli për masat e vendosura nga BE për Kosovën, duke thënë se ato duhet t’i gëzojë Serbia.

“Kemi një rikonstruktim të historisë, të ngjarjeve, të dialogut. Masat duhet të hiqen menjëherë dhe ato duhet t’i vendosen Serbisë me plotë të drejtë. Ato kanë qenë të padrejta për Kosovën”, u shpreh Rexhaj.