Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Kastrati: Kosova pritet të ketë më pak banorë krahasuar me vitin 2011

 
   

Drejtori Ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se gjatë këtij procesi të regjistrimit të popullsisë pritet të ketë më pak banorë, kjo për shkak të rënies së natalitetit dhe migracionit.

Ai në një prononcim para mediave ka thënë se të gjithë ata qytetarë që nuk regjistrohen, do të përballen me gjoba.

Kastrati ka thënë se mund të ketë ndonjë bojkot në terren, porse do të vazhdojnë me procesin e tyre.

Kastrati: Mund të ketë ndonjë bojkotim ad-hoc apo ndonjë trysni, por ne do të ecim përpara me procesin.

“Sa i përket pjesës veriore kemi pas regjistrues dhe mbikëqyrës sa kemi kërkuar, mirëpo duket se ata kanë një lloj trysnie nga komuniteti i tyre, por ne kemi gjetur regjistrues dhe të hënën do të fillojnë trajnimet për komunitetin serb në veri, në katër komunat, dhe shpresojmë që edhe ata do të jenë të gatshëm. Mund të ketë ndonjë bojkotim ad-hoc apo ndonjë trysni, por ne do të ecim përpara me procesin. ASK i ofron kushte secilit komunitet të barabarta dhe mbështet në aspektin logjistik, nëse ata vendosin që nuk do të marrin pjesë në regjistrim, ne e kemi për obligim që të bëjmë një vlerësim të popullsisë për atë zonë, por do të ishte mirë, sepse ata në të kaluarën kur ka qenë regjistrimi në 2011 nuk morën pjesë, por pas tre viteve kishin bërë një kërkesë zyrtare në BE dhe në ASK që të regjistrohen vetëm ajo pjesë, ne nuk ishim dakord si Agjencion, sepse ishte një lloj ndarje. Edhe kësaj here ne po ecim me regjistrimin e popullsisë, ata duhet të jenë në trend me neve”, ka theksuar ai.

Ai theksoi se trajnimi merr kohë dy ditë, dhe se regjistruesit kanë mundësi të shikojnë procesin edhe prej një video tetë orëshe për mënyrën se si plotësohet pyetësori.

Sa i përket reagimit të Listës Serbe lidhur me këtë, Kastrati ka thënë se çdo organizim tjetër që bëhet në mënyrë publike kundër këtej procesi do të ndiqet me procedura ligjore.

Kastrati ka thënë se nëse një person nuk regjistrohet në këtë proces, do të ketë sfida në të ardhmen.

Kastrati: Do t’i ndjekim procedurat ligjore për çdo organizim që bënë thirrje kundër këtij procesi

“Më duket sot ka qenë një deklaratë zyrtare e Listës Serbe që i ka bërë ftesë komunitetit tyre, por sigurisht ne do t’i ndjekim procedurat ligjore, sepse çdo qytetar e ka për obligim të regjistrohet, dhe çdo organizim tjetër, nuk ka të drejtë në mënyrë publike të bëjë fushatë kundër regjistrimit të popullsisë. Sigurisht ne do t’i ndjekim procedurat e zakonshme që janë. Por, besoj që qytetarët nuk e kanë atë mendim të njëjtë, sepse ne kemi kontakt me komunitetin në ato pjesë, por mund të ketë ndonjë presion jo i dukshëm në sipërfaqe. Por, patjetër për të gjithë do të ketë gjoba dhe vështirësi nëse një person nuk regjistrohet gjatë këtij procesi, sigurisht se do të kenë sfida në të ardhmen për të qenë pjesë e institucioneve, sepse nëse nuk je në regjistra, llogaritet që nuk ekziston. Prandaj, ftoj gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike apo religjioze që të jenë pjesë e regjistrimit, sepse nuk ka pyetje konfidenciale, që zakonisht është sfiduese për disa institucione, sepse pyetjet janë të zakonshme”, nënvizoi Kastrati.

Kastrati ka thënë se do të ketë dy misione nga institucionet ndërkombëtare që do të monitorojnë regjistrimin, një do të vijë të dielën, ndërsa një tjetër me datën 22 prill që do vlerësojnë gjithë procesin e regjistrimit.

I pyetur me pritshmëritë e këtij institucioni lidhur me numrin e qytetarëve, ai ka thënë se presin që ky numër të jetë më i vogël krahasuar me vitin 2011, kjo për shkak të rënies së natalitetit dhe migracionit.

Ndërsa, ka treguar edhe për lojën shpërblyese që do të zhvillohet për ata që qëllojnë numrin.

Kastrati: Presim që do të ketë zvogëlim të numrit të popullsisë krahasuar me vitin 2011, për shkak zvogëlimit të natalitetit

“Numrin e saktë s’po e themi sepse është një lojë shpërblyese. Është një pyetje e thjeshtë, kushti është që secili qytetar me qenë i regjistruar, ti mund të luash para se të regjistrohesh. Loja shpërblyese do të jetë prej datës 10 online deri me 10 maj, një javë para se të përfundojë regjistrimi me qëllim që mos të dijë askush sa është numri i popullsisë. Presim që do të ketë zvogëlim të numrit të popullsisë krahasuar me vitin 2011, për shkak zvogëlimit të natalitetit në dekadën e fundit dhe migracionit të lartë të kosovareve jashtë Kosovës

Ai ka shtuar se në pyetësor do te këtë edhe pyetje në lidhje me dëmet e luftës.

Kastrati ka thënë se regjistrimi do të zhvillohet çdo ditë të javës përveç të hënave, ndërsa ka informuar qytetarët që të regjistrohen në atë vendbanim ku është rezident në pjesën më të madhe të vitit.

Kastrati: Qytetarët duhet të regjistrohen në atë vendbanim ku është rezident më pjesën më të madhe të vitit

“Regjistrimi do të zhvillohet çdo ditë të javës përveç të hënave, ne kemi parë nga përvojat e kaluara dhe shtetet tjera, sepse gjatë ditëve të punës ka shumë familjarë që nuk është askush, kështu është edhe gjatë vikendit. Regjistruesi ka për detyrë t’i lë tre herë një letër informuese, që thuhet se ka qenë. Por, në rast se qytetarët nuk mund të kontaktojnë regjistruesin, kanë të drejtë të thërrasin në komunë apo në ASK, dhe dërgojmë stafin tjetër. Qytetarët duhet të regjistrohen në atë vendbanim ku është rezident më pjesën më të madhe të vitit”, ka përfunduar Kastrati.