Kryetari i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, ka reaguar pas disa spekulimeve që janë bërë, ku thuhej se ai do të përfshihet në politikë.
Kastrati ka bërë një sqarim, duke thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike, transmeton Telegrafi.
“Dua të sqaroj të gjithë shqiptarët kudo që janë se informacionet që po qarkullojnë në rrjetet sociale rreth përfshirjes sime në politikë janë të pavërteta. Nuk jam dhe nuk kam synim të jem pjesë e asnjë partie politike”, shkruan Kastrati në profilin e tij në Facebook.
Ai ka ritheksuar se fokusi i tij mbetet në projektet humanitare.
“Fokusimi im mbetet në projekte të tjera që kanë të bëjnë me humanizmin dhe kontributin për të gjithë ata që kanë nevojë. Andaj ju lutem mos bini pre e lajmeve të rreme që bëhen vetëm për klikime. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet mes tjerash në reagimin e Kastratit.