Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Katastrofë “biblike” në Rodos

Katastrofë biblike po konsiderohet nga mediat ndërkombëtare, ajo që po ndodh me zjarret në Rodos dhe në gjithë Greqinë. Flakët masive kanë djegur gati 1/3-ën e ishullit, mbi 34 mijë hektarë tokë.

Pavarësisht angazhimit të qindra efektivëve zjarrfikës, dhjetëra mjeteve, e madje edhe ndihmës me avionë nga Turqia, autoritetet thonë se zjarret nuk po vihen nën kontroll as në ditën e tetë.

Gati 20 mijë njerëz janë evakuuar deri më tani. Mediat britanike thonë se gati gjysma janë turistë nga ky vend, të cilët po largohen me avionë të posaçëm të dërguar nga qeveria e Britanisë së Madhe.

Dyshimet janë të forta se vatrat mund të kenë qenë të qëllimshme ndaj dhe kanë nisur hetimet intensive për zbulimin e autorëve. E vështirë është situata në gjithë vendin. Vetëm në 24 orët e fundit numërohen 64 vatra të reja zjarri, kryesisht në Athinë, por në ishuj të tjerë si Eubea e deri në Korfuz, ku ka nisur evakuimi i disa fshatrave.

Për 7 ditë në gjithë Greqinë janë djegur në total mbi 340 mijë hektarë pyje. Kryeministri grek Qirjakos Micotaqis paralajmëroi ndëshkime të ashpra për zjarrvëniet, ndërsa tha se vendin e pret një situatë tepër e vështirë përgjatë pjesës së mbetur të sezonit veror.