Pesë persona, të paktën katër burra, janë arrestuar në tri komuna të ndryshme për dhunë në familje të enjten. Vetëm një burrë është ndaluar nga Prokuroria e Shtetit. Të tjerët janë liruar.
Të paktën katër burra të dyshuar për dhunë ndaj grave të enjten, janë liruar me urdhër të Prokurorisë së Shtetit.
Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje.
Në Obiliq, një burrë është denoncuar për dhunë ndaj një gruaje. I njëjti është arrestuar, ndërsa pas intervistimit është liruar me urdhër të prokurorit, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Ndërsa, në Pejë janë arrestuar një çift nën dyshimin se kanë pasur një mosmarrëveshje. Të dy janë liruar në procedurë të rregullt.
Edhe një burrë tjetër i dyshuar për sulm fizik ndaj një gruaje në Gjakovë, është liruar pas arrestimit.
E në Gjakove është arrestuar një person pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua, shtetase të Shqipërisë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor. I dyshuari është dërguar në mbajtje.