Katër persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur pasi një anije që po bartte emigrantë preku disa shkëmbinj nënujor afër ishullit Samos të Greqisë, duke shkaktuar fundosjen e anijes, thanë zyrtarët më 28 nëntor.
Gjashtëmbëdhjetë persona u shpëtuan, por është e paqartë sesa njerëz ishin në bordin e anijes.
Rojet bregdetare greke kanë nisur operacione të kërkim-shpëtimit, ku janë përfshirë anijet patrulluese, anijet shpëtuese dhe po ashtu ka ekipe në tokë që po kërkojnë të gjejnë ndonjë emigrantë të mundshëm që i ka shpëtuar fundosjes së anijes.
Ky është incidenti i dytë vdekjeprurës brenda kësaj jave që përfshin fundosjen e anijeve të emigrantëve në Samos.
Të hënën, më 25 nëntor, tetë emigrantë – gjashtë fëmijë dhe dy gra – vdiqën pasi një anije u fundos pranë brigjeve të Samosit.
Ishulli Samos dhe ishujt e tjerë grekë në lindje të Detit Egje janë pika të rëndësishme të transitit për emigrantët që kalojnë nga Turqia për në Bashkimin Evropian. Arritjet e emigrantëve muajve të fundit, sipas autoriteteve greke, lidhen me luftërat në Lindjen e Mesme dhe pjesë të Afrikës./Radio Evropa e Lirë