Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KDI kritikon VV-në dhe Konjufcën që e bojkotuan seancën e Kuvendit: Është në kundërshtim me vlerat e pluralizmit politik

 
   

Instituti Demokratik i Kosovës përmes një komunikate për media kanë reaguar për bojkotimin që sot i është bërë seancës së Kuvendit të Kosovës nga deputetët e pozitës.

KDI në komunikatë për media potencojnë se bojkotimi i seancës së jashtëzakonshme nga LVV dhe grupet e tjera parlamentare është në kundërshtim me vlerat e pluralizmit politik dhe procedurave parlamentare dhe si e tillë minon legjitimitetin e Kuvendit dhe proceset demokratike.

Nga KDI kanë thënë se pjesëmarrja e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancat e jashtëzakonshme është thelbësore për të ruajtur kredibilitetin dhe neutralitetin institucional.

Reagimi i plotë:

𝐒𝐡𝐮𝐦𝐢𝐜𝐚 𝐩𝐚𝐫𝐥𝐚𝐦𝐞𝐧𝐭𝐚𝐫𝐞 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐨𝐬 𝐛𝐨𝐣𝐤𝐨𝐭𝐨𝐣𝐞̈ 𝐬𝐞𝐚𝐧𝐜𝐚𝐭 𝐞 𝐊𝐮𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢𝐭

Opozita në demokraci luan një rol thelbësor përmes ofrimit të alternativave apo kundërshtimeve për politikat e shumicës parlamentare. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme është instrument demokratik që i jep zë dhe mundësi opozitës për të diskutuar çështje që ajo i konsideron të rëndësishme, për të kërkuar llogaridhënie apo për të adresuar politika që sipas saj, janë të dëmshme ose të nevojshme.

Bojkotimi i seancës së sotme të jashtëzakonshme nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe grupet tjera parlamentare që përbëjnë shumicën është në kundërshtim me vlerat e pluralizmit politik dhe procedurave parlamentare, dhe si i tillë e minon legjitimitetin e Kuvendit dhe proceset demokratike.

Pjesëmarrja e të gjitha grupeve parlamentare, por sidomos e shumicës në debat është esenciale për funksionimin normal të demokracisë dhe për të ruajtur besimin publik në institucionet shtetërore. Kuvendi dhe debatet janë platformë që sigurojnë që të gjitha palët të kenë një zë në diskutimet apo vendimmarjen në temat që prekin interesin publik.

Për më tepër, pjesëmarrja e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në seancat e jashtëzakonshme është thelbësore për të ruajtur kredibilitetin dhe neutralitetin institucional. Si përfaqësuesi më i lartë i këtij institucioni, ai duhet të ketë një rol mbipartiak dhe të tregojë përkushtim për të mbajtur Kuvendin funksional, duke garantuar që të gjitha grupet parlamentare, përfshirë ato opozitare, të kenë mundësinë të ushtrojnë rolin e tyre demokratik. Pjesëmarrja e kryetarit forcon kredibilitetin e parlamentit dhe ndihmon në mbajtjen e një balancimi të shëndetshëm të pushteteve, duke mbrojtur integritetin e procesit demokratik.

Në demokraci, deputetët, udhëheqësit institucionalë kanë përgjegjësinë të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë aktivisht në proceset parlamentare, sidomos kur situatat janë komplekse dhe të ndjeshme. Kjo forcon pluralizmin dhe pasuron debatin demokratik, duke e bërë procesin politik më transparent, duke rritur informimin e qytetareve dhe përfshirjën e tyre në proceset demokratike.