Maqedonia e Veriut përfaqëson shembull të mirë për ndërtimin e shoqërisë shumetnike, por vendi duhet ta fuqizojë besimin në sistemin gjyqësor, ta intensifikojë ritmin e reformave lidhur me Bashkimin Evropian, si dhe ta përmbushë detyrimin e ndërmarrë për kompletimin e ndryshimeve kushtetuese.
Këto janë disa nga rekomandimet kryesore të raportit të 17-të me radhë të Komisionit Evropian (KE), për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE) të publikuar të mërkurën, më 30 tetor.
Raporti thekson nevojën për përmirësimin e punës së Komisionit të ri Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), duke sugjeruar udhëzime më proaktive, burime shtesë dhe përmirësime në kuadrin ligjor për luftën kundër korrupsionit.
“Për të përmirësuar performancën e KSHPK-së, Zyra e Prokurorit Publik, qendrat hetimore dhe njësitë e zbatimit të ligjit duhet të marrin burime shtesë njerëzore dhe mbështetje financiare. Dokumentet strategjike janë miratuar dhe kuadri ligjor për luftën kundër korrupsionit është vendosur, por duhet të përmirësohet, si në aspektin e masave parandaluese ashtu edhe të zbatimit të ligjit”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Ndryshimet në Kodin Penal
Në raport theksohet se ndryshimet në Kodin Penal të shtatorit 2023, dobësuan kuadrin ligjor, duke ndikuar negativisht në ndjekjen penale të korrupsionit, veçanërisht në “çështjet e nivelit të lartë”.
“Shumë raste në vazhdim u pushuan ose për shkak të skadimit të afatit të vjetërsimit ose për shkak se nuk ekzistojnë më vepra të veçanta, si shpërdorimi i detyrës në prokurime publike”.
Parlamenti duhet të planifikojë dhe miratojë me kujdes agjendën e tij dhe të kufizojë përdorimin e procedurave të shpejta legjislative ose përdorimin e papërshtatshëm të procedurës së “flamurit të BE-së”, që ka qenë praktikë deri tani, thekson KE-ja në raport, shkruan REL.
Situata ndëretnike dhe polarizimi i skenës politike
Në pjesën e raportit që flet për situatën ndëretnike, thuhet se ajo mbetet e qetë.
“Marrëdhëniet ndëretnike mbetën të qëndrueshme dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdoi të zbatohej. Organizatat e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut operojnë në një mjedis të përgjithshëm mundësues. Megjithatë, Qeveria duhet të shtojë përpjekjet e saj për të integruar angazhimin e shoqërisë civile në fushat me prioritet dhe në aktivitetet e konsultimit”, vlerëson raporti i KE-së.
Raporti, edhe pse vlerësoi si pozitive mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në muajit prill dhe maj, konstatoi se shteti duhet t’i zbatojë rekomandimet përpara zgjedhjeve të ardhshme.
“Parlamenti u konstatua se i ushtronte kompetencat e tij në një mënyrë kryesisht të kënaqshme. Megjithatë, polarizimi politik në Parlament vazhdoi, duke vonuar miratimin e reformave të rëndësishme dhe disa emërime të vonuara prej kohësh. Parlamenti i ri, i konstituuar në maj, arriti të gjejë një konsensus të gjerë për zbatimin e Rregullores së re të Procedurës, për nevojën për një debati politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe duhet të përshpejtojë punën e tij për vazhdimin e reformave të nevojshme për integrimin në BE”, thuhet në raport.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, njoftoi të mërkurën se ka pranuar raportin e Komisionit Evropian. Sipas tij, evidente janë mangësitë në fushën e gjyqësorit dhe administratës publike.
“Me raportin ne fituam një pasqyrë reale dhe objektive për gatishmërinë e shtetit në arritjen e vlerave dhe standardeve evropiane. Është detektuar një përparim dhe mangësi në disa sfera, ose nuk ka aspak përparim në shumë sfera të tjera”, tha Mickoski.
Mickoski siguroi se Qeveria e tij “do të vazhdojë angazhimin për reforma”, por porositi se për këtë duhet të tejkalohen edhe dallimet politike.
“Duhet ta bëjmë më të mirën, t’i tejkalojmë pengesat politike dhe të fokusohemi në atë që duhet të gjithë ta bëjmë sepse nuk kemi kohë për të humbur. Na pret edhe shumë kohë, të gjithë ne, sepse reformat dhe rruga evropiane janë të gjata”, deklaroi Mickoski në konferencën për shtyp, pasi pranoi raportin e KE-së nga shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Mihalis Rokas.
Edhe në raportin e vitit të kaluar për Maqedoninë e Veriut, nuk u theksua se kishte përparim në luftën kundër korrupsionit, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal u tha se penguan hetimet dhe ndjekjen penale të veprave të tilla.
Progresi drejt BE-së dhe zbatimi i marrëveshjeve me fqinjët
Krahas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, për të futur në preambulë bullgarët, raporti gjithashtu thekson nevojën e “zbatimit në mirëbesim” të marrëveshjeve dypalëshe me vendet fqinje, përkatësisht Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunimin me Bullgarinë.
“Bashkëpunimi ndërpartiak është thelbësor për të përshpejtuar zbatimin e reformave të lidhura me BE-në, në interes të qytetarëve. Me gjithë përpjekjet, deri më tani, nuk është bërë asnjë përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, me qëllim që në Kushtetutë të përfshihen edhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, si bullgarët, siç përmendet në Konkluzionet e Këshillit të 18 korrikut 2022, të cilat vendi u angazhua t’i nisë dhe t’i arrijë”.
Në pjesën e procesit të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian, në raport përkujtohet se Konferenca e Parë Ndërqeveritare, BE-Maqedonia e Veriut, me çka ishte shënuar fillimi zyrtar i bisedimeve për anëtarësim, u mbajt në korrik 2022, ndërsa procesi i skriningut (verifikimit) për të gjitha gjashtë grupet përfundoi në dhjetor të po të njëjtit vit, 2023.
“Komisioni pret me padurim ndjekje të shpejtë dhe vendimtare të raportit të skriningut për grupin ‘Vlerat themelore’, duke përfshirë edhe lidhjen me udhërrëfyesit e vendit në përputhje me kornizën negociuese, me qëllim që të hapet grupi i parë sa më shpejt të jetë e mundur, kur të plotësohen kushtet relevante”, thuhet në dokumentin e KE-së.
Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është anashkaluar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, të bëhen me zbatim të prolonguar.
Kjo ide është përjashtuar nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup, më 24 tetor, i bëri thirrje Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese.
Por, pavarësisht këtyre thirrjeve, kreu i Qeverisë maqedonase, Mickoski, vazhdon të mbetet i palëkundur në pozicionin e tij kundër këtyre ndryshimeve.
Më herët, gjatë ditës, ai deklaroi për gazetarët se nuk do të ketë asnjë iniciativë për dorëzimin e projekt-amendamenteve kushtetuese në Kuvend, që përfshijnë ndryshime kushtetuese me zbatim të shtyrë, përpara se të formohet Qeveria në Bullgari, pasi siç tha, “një lëvizje e tillë do të ishte naive, dhe do ta rrezikonte procesin euro-integrues të vendit”.
“Shpesh më thonë se këto janë situata ku duhet të gjejmë zgjidhje win-win, nuk mund të gjejmë zgjidhje win-win, nuk mund dy të fitojnë, është e pamundur. Këtu do të jetë lose-lose, respektivisht secili të humb diçka. Por, kështu siç është konceptuar më herët, kushtimisht thënë propozimi francez, ne humbasim gjithçka dhe nuk fitojmë asgjë”, tha Mickoski.
Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova nuk e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse ka aplikuar për t’u bërë pjesë e këtij blloku.