Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Keni bërë plane për fundjavën? Zbuloni surprizat e motit, ja çfarë do të ndodhë me temperaturat

Në rajonin tonë ende po ndikon cikloni i cili po sjellë reshje intensive në shumë pjesë të Greqisë dhe Turqisë, por ndikimi i tij në territoret tona është shumë i dobët sidomos në Kosovë ku dominant kemi ndikimin anticiklonik.

Sidoqoftë, të premten do të ketë fuqizim të këtyre masave ciklonike në rajonin tonë por jo në tërë territoret tona. Zhvillime të rrebesheve lokale të shiut me vetëtima dhe bubullimë pasditen e së premtes parashihet të ketë në gjysmën jugore të Shqipërisë, sidomos në zonat kontinentale e me theks të veçantë në zonat kodrinore-malore. Rrebeshet lokale pritet të përfshijnë gati tërë lindjen e Shqipërisë deri afër kufirit me Republikën e Kosovës si dhe zhvillime parashihen edhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut.

Këto zhvillime mund të arrijnë deri në skajin jugor të Kosovës ku mund të ketë ndonjë rrebeshe lokal shiu me vetëtima dhe bubullimë. Të gjitha këto zhvillime do të janë kalimtare dhe të karakterit lokal, pra nuk priten reshje me ndonjë intensitet të lartë dhe që zgjasin shumë.

Në anën tjetër në fundjavë do të kemi një front të dobët të ftohtë ajror i cili do të arrijë deri në territorin e Republikës së Kosovës duke sjellur shtim të vranësirave dhe ndonjë rigë lokale shiu. Do të ketë rritje të përkohshme të intensitetit të erërave dhe ulje e përkohshme e temperaturave.

Ky front do të jetë kalimtar dhe nuk do të jetë i pasur me lagështi, prandaj nuk priten reshje, përpos ndonjë rrebesh ose rigave lokale kalimtare.

Në përgjithësi vazhdon mot kryesisht stabil vjeshtor, përpos rajoneve të lartëcekura ku do të ketë zhvillime kalimtare lokale. Reshje atmosferike që do të mund të zbusin thatësinë ende nuk shihen në horizont.