Imami kosovar që ligjëron në njërën nga xhamitë të kryeqytetit, Husamedin Abazi ka reaguar pas mbajtjes së “Paradës së Krenarisë” nga komuniteti LGBTQ+ ditën e sotme në Prishtinë.
Shumë figura politike e pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë morën pjesë sot në këtë paradë, e cila kishte moton për këtë vit “Kemi qenë dhe do të jemi”.
E hoxha i njohur kosovar ka reaguar ashpër ndaj kësaj moto dhe kësaj parade, duke e quajtur “paradë të turpit”.
“Keni qenë dhe do t’jeni turpi i botës”, ka shkruar imami kosovar.
Parada e Krenarisë shënon aktivitetin e fundit në kuadër të Javës së Krenarisë, e cila ka nisur prej 3 qershorit.
“Java e Krenarisë” u dedikohet pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+. Përgjatë kësaj jave, në shumë vende zhvillohen marshe e protesta, me kërkesën për njohjen e të drejtave ligjore për martesa mes personave të gjinisë së njëjtë.
Në një raport të publikuar në mars të këtij viti, nga Spartacus Gay Travel Index, Kosova renditet si vendi më pak mikpritës për personat e komunitetit LGBTI+ në mesin e vendeve të Ballkanit dhe më keq se vendet e Bashkimit Evropian.