Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Keqpërdorimet e hetuesve policor në Prizren e Gjakovë, merren hapat e parë

 
   

Inspektorati Policor i Kosovës në një inspektim të jashtëzakonshëm doli të ketë gjetur goxha shumë shkelje në njësinë për narkotikë në Prizren dhe Gjakovë.

Në Drejtoritë e hetimit të Narkotikëve në këto dy qytete është gjetur se hetuesit e disa rasteve kanë keqpërdorur detyrën e tyre duke mos raportuar siç e parasheh ligji tek Prokuroria përkatëse.

Madje kanë gjetur se një pjesë e dëshmive që lidhen me një numër rastesh janë hasur jashtë Dhomës së dëshmive në Prizren, të mbetura në një nga zyrat e njësisë për narkotikë pa ndonjë proces të dokumentuar të pranim-dorëzimit të tyre dhe ne kundërshtim me Procedurat Standarde të Operimit.

E rekomandimet kanë qenë që shefat e Njësive për Narkotikë në Gjakovë dhe Prizren të kryejnë kontrolle mbi hetuesit gjatë punës së tyre.

Policia e Kosovës i ka thënë televizionit se do t’i  respektoj rekomandimet e IPK-së.

“Në të gjitha rastet ku zyrtarët policor janë/apo mund të përfshihen në raste penale, për hetimin dhe trajtimin e këtyre rasteve janë kompetent IPK-ja, të cilëve mund t’u referoheni. Përderisa Policia e Kosovës të gjitha veprimet e saj i merr konform të gjeturave dhe rekomandimeve të IPK-së”

E pikërisht, nga IPK-ja po thonë se përveç rekomandimeve, pritet edhe të iniciojnë rast hetimi për këto shkelje të policëve.

“Janë dhënë 11 rekomandime të cilat pritet të ndikojnë në ngritjen e nivelit të përformancës të njësiteve të cilat janë inspektuar nga IPK-ja. Sidoqoftë, përveç raportit të inspektimit, IPK do të inicioj rast sipas detyrës zyrtare bazuar në këto të gjetura të inspektimit”, ka thënë Arber Beka – Inspektorati Policor i Kosovës.

Madje, ka bazë edhe për një hetim penal.

“Raporti inspektues mund të shërbej si bazë nëse ka një dyshim të arsyeshëm nëse një zyrtar i Policisë mund të ketë kryer vepër penale, ai raport është bazë e mirë që në bazë të detyrës zyrtare IPK nën autorizimet e Prokurorisë të filloj një hetim penal”, ka thënë  Valdet Hoxha – Ish zyrtar në IPK.

IPK gjatë inspektimit të këtij rasti poashtu ka gjetur se nuk janë ndërmarrë veprime të mjaftueshme hetimore në zbatim të autorizimeve policore që kryesisht lidhen me zbatimin e masave të fshehta të hetimit dhe vëzhgimit, si dhe intervistimit të palëve të përfshira duke dështuar kështu në hetimin efikas dhe efektiv të rasteve .