Organizata terroriste “Brigadat e Veriut” ka kërcënuar me jetë ministrin serb për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe një polic të Kosovës.
Sipas burimeve të rtk-së, pas këtyre kërcënimeve fshihet Radisha Denoviq, i cili është edhe pjesëtar i kësaj organizate e, sipas burimeve, ai mori pjesë edhe në sulmin ndaj KFOR-it. Nga fotografitë që ka siguruar RTK, ai është i përgatitur edhe ushtarakisht.
Pas sulmit terrorist në Banjskë, të prirë nga krimineli Milan Radojçiq, kanë vazhduar kërcënimet, si ndaj serbëve të Kosovës, po ashtu edhe ndaj udhëheqësve të institucioneve e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Ministria për Komunitete dhe Kthim ka publikuar një sërë kërcënimesh drejtuar ministrit Nenad Rashiq e që vijnë nga e ashtuquajtura “Brigadat e Veriut”, e që, bashkë me Mbrojtjen Civile, është shpallur organizatë terroriste nga Qeveria e Kosovës.
Sipas burimeve, pas këtyre kërcënimeve qëndron Radisha Denoviq, i cili është edhe pjesëtar i kësaj organizate e që dyshohet se mori pjesë në sulmin ndaj KFOR-it më 29 maj të këtij viti. I njëjti, sipas burimeve, dyshohet se kishte bërë kërcënime edhe ndaj gazetarëve shqiptarë.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është kërcënuar me jetë në rrjetin social Facebook. Sipas burimeve, kërcënimi vjen nga organizata terroriste “Brigadat e Veriut”.
Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, shkruan se dje në orën 16:10, një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka raportuar se është kanosur përmes rrjeteve sociale.