Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kërcënohet Ramiz Lladrovci dhe drejtori i tij – shkak një pronë komunale

 
   

Jo rrallëherë zyrtarët në institucionet shtetërore janë cak i kanosjeve e sulmeve verbale, incidente këto që lidhen kryesisht me punën e tyre dhe vendimet që merren.

Këto raste shpesh kanë ndodhur edhe në nivelin lokal, ku kryetarët e komunave apo edhe zyrtarë të tjerë janë përballur me situata të tilla. Kështu po dyshohet se ka ndodhur të martën pasdite në Drenas.

Media ka mësuar ekskluzivisht se kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, është kërcënuar indirekt nga dy persona, duke i çuar selame përmes drejtorit për gjeodezi, kadastër dhe pronë e më pas kanë shkuar edhe te komuna.

Sipas informacioneve të para, gjithçka ka nisur te restoranti ‘Peshkopija’ ku drejtori Arian Krasniqi ishte takuar me dy të dyshuarit, me të cilët kanë komunikuar lidhur me një vendim të komunës për lirimin e pronës komunale, që dyshohej se shfrytëzohej nga pala e dyshuar.

Në shenjë revolte, të njëjtat burime thonë se të dyshuarit kanë deklaruar se do ta refuzojnë lirimin e pronës, duke paralajmëruar se do të ndërmarrin çdo veprim të mundshëm vetëm për të mos e zbatuar vendimin.

Të njëjtit i janë drejtuar drejtorit Krasniqi që këtë “punë do ta rregullojnë direkt me kryetarin” – selam ky që kanë kërkuar t’i shkojë Lladrovcit.

Për të mos mbaruar me kaq, njëri nga të dyshuarit ka shkuar edhe te objekti i komunës, ku ka qëndruar për një periudhë të shkurtër kohore, derisa një njësi policore zbarkoi në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, teksa edhe i dyshuari tjetër është kapur dhe janë intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.

Media ka kontaktuar edhe drejtorin Arian Krasniqi për të marrë versionin e tij, por i njëjti tha se do të lajmërohet vetë pasi është i zënë për momentin.