Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dorëzoi në Kuvend një amendament për disa ndryshime në ligjin për “buxhetin e vitin 2024”, pasi kërkon rialokim të rreth 50 milionë eurove ndihmë ushtarake për Kosovën.
Ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, bëri të ditur se partia që udhëheq do të dorëzojë në Kuvend një amendament ku do të kërkojë që 50 milionë euro nga buxheti i vitit 2024 të shkojnë për ndihmë ushtarake në Kosovë.
Sipas Bashës kjo gjë përbën interes esencial të sigurisë kombëtare, ndaj shpreson që kjo çështje mos të “bjerë në nivelin e mjerueshëm të debatit politik”.
“Natyrisht presim që të paktën në këtë interes esencial të sigurisë sonë kombëtare, të sigurisë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe të qëndrimit në krah me mjete modeste, në krahasim me investimin që po bëjnë aleatët tanë, presim të mos bjerë në nivelin e mjerueshëm të debatit politik ku e kanë futur aktualisht protagonistët e teatrit të përditshëm”, ka thënë Basha.
Basha është kryetar legjitim i PD-së në opozitë. Megjithatë, këtë post e pretendon edhe ish-kryeministri Sali Berisha, që aktualisht është në arrest shtëpiak. Deputetët e PD-së në Kuvendin e Shqipërisë janë të ndarë në tri taborë, ata me Bashën, me Berishën dhe me Enkeled Alibeajn.
Bazuar në këto zhvillime brenda PD-së, ekspertët e sigurisë potencuan se Basha po tenton të marrë vëmendje politike me çështje kombëtare.
Sipas tyre, financimi ushtarak i Shqipëri për Kosovën do të nxiste reagime dhe Serbia do e shfrytëzonte këtë rast për ta cilësuar si provokim.
Kësisoj, vlerësohet se Kosova ka mjaftueshëm mbështetja nga SHBA sa i përket ushtrisë, armatimit.
Ata kërkuan që në disa fusha të tjera të ketë bashkëpunim më të madh.
Softa: Rama duhet të këshillohet me faktorin ndërkombëtar
E për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.
Fatjon Softa
Së pasi, tha se në parim propozimi i Bashës është pozitiv, mirëpo qëllimi i tij duket të jetë politik për të marrë vëmendjen në opoinionin publik.
“Propozimi i Bashës për ndihmë të Kosovës, është pozitiv, por më shumë është aksion politik për të marrë terrenin e humbur nga heshtja e gjatë në politike. Pyetja shtrohet pse 50 milionë euro? Ku e bazon dhe pse tani dhe jo kur do miratohej buxheti në dhjetor?” – shpreh eksperti i sigurisë.
Krahas kësaj, Softa potencoi se Basha dëshiron të marrë terren politik, duke përdor çështje kombëtare.
Sipas tij, në rast të financimit ushtarak të Shqipërisë për Kosovën, Serbia do ta proklamonte si provokim.
“Në planin e brendshëm, ai kërkon të marr terren politik tek elektorati duke ngacmuar ndjenjën kombëtare. Në planin ndërkombëtar, çdo shtim buxheti për financime ushtarake, edhe pse për mbrojtje, do të merret si provokim nga Serbia dhe mbështetësit e saj. Kjo ndihmë mund të jepet për motive të tjera të kamufluara, por jo të deklaruara për mbrojtje që Shqipëria të shërbej si faktor stabiliteti në rajon”, theksoi ai.
Më tej, eksperti i sigurisë kërkoi që Rama për këtë çështje të këshillohet me ndërkombëtarët dhe jo të veprojë me propozim të Bashës.
“Unë nuk besoj që qeveria të veprojë me propozim të një drejtuesi politik, për këtë aksion Rama duhet të këshillohet me faktorin ndërkombëtar.
Ndihma amerikane është tregues i mbështetjes për Kosovën. Shqipëria të hap partneritetin me Kosovën, vazhdimin e projekteve të përbashkëta për forcime ekonomike, për lobime për njohjet e reja, për marrëveshje me interes reciprok, për dorëzimin e tregut evropian, bashkëpunim në fushën e sigurisë, kontrollit të pikave kufitare për të luftuar trafiqet e grupet kriminale, heqjen e taksë së rrugës së Kombit
Më shumë duhet te merret me stabilitetin e politikës në opozitë”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.
Shala: Nisma e tillë është sa për të bërë fushatë për nevoja të brendshme politik
Drizan Shala
Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala vlerësoi njëjtë se kjo po bëhet për përfitime politike nga ana e Lulzim Bashës.
Kjo pasi, ai sqaroi direktivat e mbrojtjes së ministrisë së Shqipërisë me standardet e NATO-s.
“Nisma e tillë është sa për të bërë fushatë për nevoja të brendshme politik dhe që nuk ka ndonjë impakt të drejtpërdrejt në bashkëpunimin bilateral që ka FASH me FSK në këtë periudhë.
Sepse sipas direktivës së mbrojtjes 2024 të MM të Shqipërisë është e përcaktuar rruga e bashkërendimit të bashkëpunimit mes dy forcave ushtarake në fushën e trajnimeve kryesisht që janë të bazuar në standardet e NATO. E cila është e precizuar edhe në strategjinë kombëtare të sigurisë së Shqipërisë për sigurinë e mjedisit rajonal që është konstatuar që rrezikohet nga ndikimi nacionalist serb”, theksoi ai.
Krahas kësaj, ai tha se Kosovës i mjafton ndihma që SHBA dhe aleatët tjerë ia japin, pasi një gjë e tillë, pra financimi ushtarak nga ana e Shqipërisë, mund të keqkuptohet dhe shfrytëzohet nga grupacione të caktuara.
“Buxheti i FSK është tani 2% GDP dhe kjo në këtë periudhë do të jetë optimale bazuar edhe në planin 10 vjeçar të saj për avancim në FAK dhe nëse këtu vendoset edhe elementi i Fondit për Siguri mund të thuhet që mjetet janë të mjaftuar në këtë fazë.
Ndihma në këtë drejtim mjafton tani për tani vetëm në ofrimin e trajnimeve por pjesën tjetër të armatimit etj., ne e kemi përcaktuar fushën e bashkëpunimit që janë SHBA dhe partnerët tjerët britanikët, kroatët dhe turqit.
Raste të tilla mund të keqinterpretohen dhe mund të shfrytëzohen nga qarqet e caktuara për të paraqitur situatën jo në formën adekuate por duke jap interpretim në dëmtim të procesit të avancimit të FSK në familjen e madhe NATO dhe programeve të saj”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.