Më 24 shtator, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë pasi patrulla me të cilën ishte, u sulmua nga grupe të armatosura serbe.
Ngjarja ndodhi në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit – zonë e banuar me shumicë serbe.
Zyrtarët e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për “agresionin”, ndërsa në Serbi, zyrtarisht e mohuan se kanë gisht në këto ngjarje.
Të martën Ministria e Punëve e Brendshme e Serbisë njoftoi se e ka arrestuar terroristin Milan Radoiçiq, i cili pranoi se ishte pjesë grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës.
Por, i njëjti u lirua menjëherë të mërkurën nga gjykata në Beograd.
Situata e dialogut Kosovë-Serbi
Të gjendur në këtë situatë në çfarë pike mund të jetë dialogu mes dy shteteve, kur faktikisht kemi të bëjmë me një mori ngjarje të provokuara nga Serbia.
Rundi i fundit i bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i zhvilluar më 14 shtator nuk pati ndonjë përparim.
Kurti ka fajësuar ndërmjetësuesit evropianë për anshmëri – gjë që është konsideruar si “akuzë e pabazë” nga BE-ja.
Ku pas ngjarjeve në Banjskë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, ka thënë se, në ditët në vazhdim, do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në bisedime.
Thirrje për t’iu kthyer rrugës diplomatike, Kosovës dhe Serbisë i kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara.
Qarri: Para se të ri-vazhdojë dialogu, pikësëpari vet BE, duhet ti qartësoj qëndrimet e veta, në raport me Kosovën
Gani Qarri
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.
Ai u shpreh se Serbia duhet të dënohet nga ndërkombëtarët për sulmin terrorist që ka bërë në veri të Kosovës gjithashtu Lajçak dhe Escobar duhet të zëvendësohen në dialogun Kosovë-Serbi.
“Në fakt, pas sulmit terrorist në Banjskë të Kosovës, pikësëpari Serbia hegjemoniste duhet të dënohet nga BE dhe SHBA për involvimet e saj të drejtpërdrejta në aktet terroriste të kriminelëve serb, në vendin tonë. Pastaj të bëhet zëvendësimi i emisarëve Lajçak dhe Eskobar, të cilët, duke mbajtur në vazhdimësi anën e Serbisë dhe plotësuar në vijimësi teket e kriminelit Vuçiq, me gafat e tyre mega-konfliktuale e kthyen dialogun në përsiatje private dhe sollën deri në këtë pikë kritike, sa që akti terrorist që u paralajmërua nga vet Miroslav Lajçak, edhe ndodhi vetëm pak ditë më parë në Kosovë, akt që për pak, sa nuk shkaktoi përsëri edhe një luftë tjetër të përgjakshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh ai.
Analisti më tej thekson që, Kosova duhet ta kushtëzojë Serbinë me dorëzimin e menjëhershëm të kryekriminelit Milan Radojçiq dhe kriminelëve tjerë në mënyrë që të vazhdohet dialogu.
“Në anën tjetër, pas aktit terrorist serb në Kosovë, tanimë ka ndryshuar çdo gjë dhe nuk është asgjë si më parë, andaj, si për arsye të sigurisë së brendshme, ashtu edhe për ruajtjen e paqes dhe të qetësisë në rajon, pjesëmarrjen në dialog, Kosova duhet ta kushtëzojë me dorëzimin e menjëhershëm të kryekriminelit Milan Radojçiq dhe kriminelëve tjerë nga Serbia, të cilëve vet presidenti serb Aleksandër Vuçiq u ka ofruar strehim pas sulmit terrorist në Kosovë, përderisa BE me sjelljen e saj qesharake, thot se është duke kërkuar fakte tjera”, shpjegon Qarri.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe pasurinë që terroristët e kanë bërë me punë të paligjshme.
“Por para se ta kushtëzojë BE-në, apo kënd do-tjetër, është momenti i fundit që Kosova medoemos ti ndëshkojë edhe bashkëpunëtorët shqipfolës të krye-terroristit Milan Radojçiq, të cilit i dhanë atij, aq shumë fuqi në Kosovë, sa që ai i vetëm, të vendoste nga Leposaviqi e Zveçani deri në Shtërpcë e Brezovicë, se kush mund të punësohej edhe në institucionet e Republikës së Kosovës, pra, jo vetëm në veri, por edhe në Ranillugë, Graçanicë e deri në Shtërpcë. Si dhe kush mund të ndërtonte me dhe pa leje ndërtimi, duke marrë miliona euro, veçanërisht, për ndërtimet e kundërligjshëm në Parkun Kombëtar në Brezovicë, duke bërë multimilioner, jo vetëm Radojçiqin, por edhe kryetarin e Shtërpces Bratisllav Nikoliqin të cilin gjykata në Pejë e liroi edhe nga burgu, për 50 mijë euro dorëzani, para këto, pa mëdyshje, përsëri nga ryshfetet që ai ndër vite ka marrë prej shqiptarëve”, thotë analisti.
Në bisedë e sipër ai përmendi edhe njëanshmërinë e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës duke u shprehur se të dy shtetet në dialog duhet të jenë të barabarta.
“Dhe nëse vërtetë ka ngelur vend dhe arsye edhe më tej, për dialogim, para se të ri-vazhdojë dialogu, pikësëpari vet BE, duhet ti qartësoj qëndrimet e veta, në raport me shtetin e Kosovës dhe ta trajtojë Kosovën njëjtë si Serbinë në bisedime, e jo edhe pas aktit terrorist serb, në Kosovë, të bëj sikur ende kërkuaka prova, për ta ndëshkuar Serbinë, përndryshe vet BE me qëndrimet e saj dualiste, po e bënë të pamundur, realizimin e kushteve, për vazhdimin e dialogut, nëse vërtet edhe më tej, paska vend dhe arsye për të dialoguar, por gjithsesi jo, në kushtet dhe mënyrat favorizuese për Serbinë, siç është vepruar deri më tani nga treshja e musketarëve euro-amerikan, të cilët, siç dëshmoi akti terrorist serb në veri të Kosovës, me gafat e tyre, konfliktuale na quan drejtpërsëdrejti në shpërthimin e një lufte të re në Ballkan”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.
Ahmeti: Kosova duhet të veproj arsyeshëm, pasi ka në duar mundësinë ideale për të dekonstrukuar në çdo pikëpamje Serbinë
Hidajet Ahmeti
Ndërsa, analisti tjetër politik Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se Kosova ka momentin e duhur të kushtëzoj Serbinë dhe duhet të shfrytëzohet ky moment.
“Kosova duhet të veproj arsyeshëm, pasi ka në duar mundësinë ideale për të dekonstrukuar në çdo pikëpamje Serbinë. Duhet patjetër të shfrytëzohet ky momentum i artë, pasi asnjëherë Kosova nuk ka pas pozitën më të favorshme në raport me Serbinë”, thotë ai.
Analisti në fund potencon që ndërkombëtarët duhet të I vendosin sanksione Serbisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.
“Përfaqësueset e Kosovës duhet të vendosin kushte për të vazhduar dialogun në mënyrë objektive, dhe çdo përpjekje e Serbisë per t’u shfajsuary nuk duhet pranuar. Ekstradimi i kriminelëve pranë institucioneve të drejtësisë së Kosovës është njëri ndër kushtet themelore, kurse nëse kuptohet lidhje piramidale me përfaqësuesit udhëheqës serb ne Serbi, ndërkombëtarët duhet domosdo ta sanksionojnë Serbinë”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”