Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj serbit i cili i u arrestua dje në pikëkalimin kufitar në Jarinjë nën dyshimin se ka qenë i përfshirë në dhunën e 29 majit në Zveçan.
Sipas njoftimit, i pandehuri me inicialet S.M akuzohet për veprat penale që kanë të bëjnë me kapitullin e veprave penale kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ka arrestuar një (1) person me inicialet S.M., i nacionalitetit serb, shtetas i Republikës së Kosovës, për veprat penale që kanë të bëjnë me kapitullin e veprave penale kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ndaj të arrestuarit S.M., Prokuroria Speciale, ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për shkak të veprave të lartcekura”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, sot policia ka njoftuar se i pandehuri dyshohet për veprat penale “Bashkim për veprimtari kundër kushtetuese, me qellim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës se Kosovës & rrezikim i personave nen mbrojtje ndërkombëtare & sulm ndaj personit zyrtarë & pjesëmarrja në turmë që krye vepra penale dhe huliganizëm”.
Më 29 maj, serbët ishin mbledhur në komunat në veri të vendit për të kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë.
Ata kishin tentuar katër ditë më herët të parandalonin hyrjen e kryetarëve në zyret e tyre, por ishin përleshur me Policinë dhe situata më pas kishte eskaluar në përplasje edhe me trupat e KFOR-it e protestuesve. Disa ushtarë të KFOR-it ishin lënduar ndërkaq protestuesit kishin sulmuar edhe Policinë e gazetarët në terren.