Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin e vrasjes në Podujevë – të mërkurën mbahet seanca

 
   

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë kërkesë që të dyshuarit për vrasjen që ndodhi ditën e hënë në Podujevë, t’i caktohet masa e paraburgimit.

I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

Nga Gjykata Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar se e kanë pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe kanë bërë të ditur se seanca lidhur me këtë rast do të mbahet të mërkurën.

“E kemi pranuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit. Seanca do të mbahet nesër”, ka thënë zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, Policia e Kosovës gjatë ditës ka konfirmuar se është bastisur shtëpia e të dyshuarit me inicialet A.S, ku edhe janë sekuestruar disa armë e municion.

“Po ashtu lidhur me rastin njësitë policore të shoqëruara nga prokurori kujdestar gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të personit të arrestuar kanë gjetur dhe konfiskuar: një pistoletë me katër karikatorë dhe gjashtëdhjetë e dy (62) fishekë, një pushkë gjuetie me dylbi, njëzet fishekë (20), dy antiplumba dhe një veturë me targa të huaja. Me aktvendim të prokurorit kujdestar, i arrestuari është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër ndodhet në arrati”, thuhej në njoftim.

A.S dyshohet se të hënën në mesditë në Podujevë ka shtënë me armë zjarri drejt një çifti, ku si pasojë ka mbetur i vrarë një 30-vjeçar ndërsa është plagosur bashkëshortja e tij.

Në momentin e të shtënave ndaj çiftit prezent kishte qenë edhe një fëmijë, i cili fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.