Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kërkohet sërish ndërrimi i përbërjes së trupit gjykues në rastin “Subvencionet II”

 
   

Në seancën e së martës në rastin “Subvencionet II”, mbrojtësi i të akuzuarit Rasim Zekaj, avokati Emrush Kastrati tha se përbërja e re e trupit gjykues është në kundërshtim me ligjin, andaj kërkoi që të ndryshohet.

“Gjyqtari Lufti Shala në këtë çështje penale për të njëjtit të akuzuar ka qenë gjyqtar i procedurës paraprake gjatë zhvillimit të hetimeve. Andaj, në këtë kontekst përbërja e trupit gjykues është në kundërshtim me ligjin. Andaj, me qëllim që të evitohen shkeljet procedurale kërkojmë nga gjykata që të ndryshohet përbërja e trupit gjykues, respektivisht në vend të gjyqtarit Lutfi Shala të caktohet një gjyqtar tjetër”, tha Kastrati.

Në këtë rast, trupi gjykues fillimisht përbëhej nga Violeta Namani-Hajra-kryetare dhe anëtarët Vesel Ismaili e Rrahman Beqiraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit Luan Statovci, avokatit Naim Rudari në seancën e 6 qershorit 2024, për përjashtimin e trupit gjykues, rasti kaloi tek trupi i ri gjykues me kryetar gjykatësin Ngadhnjim Arrni dhe anëtarë gjykatësit Lutfi Shala e Kushtrim Shyti.

Kërkesa për ndërrimin e trupit gjykues paraprak ishte bërë me arsyetimin se prokurori i rastit Rafet Halimi ishte ftuar në zyrën e gjyqtares Namani.

Në seancën e së martës mungoi i akuzuari Berat Nika, për të cilin avokati Besnik Curraj tha se nuk ka mundur të bie në kontakt me të.

Për këto arsye, gjyqtari Arrni konstatoi se nuk ka kushte ligjore që të vazhdohet më këtë seancë.

Gjithashtu, gjyqtari Arrni njoftoi së për senacën e radhës, palët do të ftohen me ftesa të rregullta, kurse për të akuzuarin Nika do të shqyrtohen mundësitë ligjore për sigurimin e prezencës së tij në seancë.

Ndryshe, në këtë çështje penale aktakuza ishte ngritur kundër 15 të akuzuarve me 20 pika akuzuese, mirëpo në shqyrtimin fillestar 10 prej tyre kishin pranuar fajësinë dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura penale.

Në këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë dy aktgjykime të ndara, ku janë dënuar 10 nga të akuzuarit.

Më 15 mars 2023, Gjykata Themelore në Prishtinë, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj gjashtë të akuzuarve Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Dukagjin Deda, Sadri Berisha, Pashk Krasniqi dhe Ramadan Zeqiraj, të akuzuar për veprat penale “Marrje ryshfeti”, “Ushtrim ndikimi”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, në rastin “Subvencionet II”, duke i dënuar (së bashku) me 4 vite burgim dhe 10 mijë euro gjobë.

Ndërsa, më 23 qershor 2023, kjo Gjykatë kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve Gëzim Morina, Afrim Mehmetaj, Donard Draga dhe Hysni Morina për veprat penale “Dhënia ryshfeti” dhe “Mashtrim me subvencione”, ku janë dënuar me 27 muaj burgim dhe 19 mijë euro gjobë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 22 dhjetorit 2022, 15 të akuzuarit në rastin “Subvencionet II”, Luan Statovci, Blerim Mulliqi, Bekim Bruçi, Sedat Shkodra, Berat Nika, Gëzim Morina, Rasim Zekaj, Afrim Mehmetaj, Donard Draga, Dukagjin Deda, Ramadan Zeqiraj, Hazir Metaj, Sadri Berisha, Hysni Morina, dhe Pashk Krasniqi, ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, mashtrim me subvencione dhe ushtrim ndikimi.