Situata pas sulmit terrorist në veri të Kosovës konsiderohet më e qetë, ndërsa tashmë kanë filluar edhe propozimet sesi të “mbrohet” ajo pjesë e vendit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një konferencë për mediat të enjten ka thënë se që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë të formalizohej kjo duhet të ngrihej në nivelin e një konference ku plani franko-gjerman të vendosej mbi tavolin, ndërsa të pranishëm të ishin edhe presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelari gjerman Olaf Scholz.
Rama tha gjithashtu se formati i tanishëm i Brukselit, qartazi nuk po i ofron asgjë paqes në këtë situatë të re.
“Kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike e kam thënë dhe e kam kërkuar disa herë publikisht dhe zyrtarisht se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konference të normalizimit me planin franko-gjerman si udhërrëfyes në kuadër të bisedimeve të pandërprera.
Gjithashtu përfaqësimi i Bashkimit Evropian dhe i komunitetit euroatlantik, duhej ngritur edhe ai në nivelin më të lartë me Francën dhe Gjermaninë në konferencë, me praninë e presidentit dhe kancelarit si bashkautor të këtij plani.
“Detyra ime është të bëjë çmos për paqe dhe për bashkëpunimin në rajon dhe për njohjen përfundimtare të Kosovës, si fryt i paqes dhe bashkëpunimit. Detyra ime është të shkojë më shumë se një hap. Qeveria e Kosovë s, të mos degradojë në një arenë luftimesh të herë pas hershme të cilat mund ta kthejnë në Dombas të vogël, por ama mjaftueshmërisht të madh për ta kthyer të djeshmen në të sotmen dhe të ardhmen në të djeshme. Nëse kohë përpara këtyre zhvillimeve kaq dramatike, e kam kërkuar disa herë publikisht se formati i dialogut të normalizimit duhej ngritur në nivelin e një konference të normalizimit. Përfaqësimi i BE dhe i Komunitetit euroatlantik duhej të ngrihej në nivelin më të lartë. Sot është e qartë për të gjithë se sot formati i Brukselit ku vijnë dy burra nga këtej dhe hyjnë e dalin dy burra andej nuk kanë asgjë për t’i ofruar paqes në këtë situatë të re”, tha Rama.
Sipas Ramës që të parandalohet konflikti në veri të Kosovës, kontrollin duhet ta merr KFOR-i.
“Niveli i përfaqësimit euroatlantik në dialog duhet të ngrihet shpejt por duhet pasur parasysh që kjo të bëhet se përndryshe bashkë me stokun e të gjithë marrëveshjeve, vonesa e këtij hapi mund të sjellë dhe një stok viktimash. Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll Veriun Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, shtoi Rama.
Reagime e kritika ndaj Ramës kishin ardhur menjëherë, ndërsa nga Presheva atij i vjen një propozim “interesant”.
Analisti politik, Refik Hasani, thotë se ai duhet të propozojë që KFOR-i të marrë nën kontroll Serbinë Jugore.
“Sot, Kryeministri Edi Rama, propozoi që Veriun e Kosovës, të marrë nën kontroll KFOR-i. Kryeministri Edi Rama, të propozon që KFOR-i ta marrë nën kontroll Serbin Jugore që përfshin Krahinën Shqiptare me komunat e Medvegjës, Bujanocit, Preshevës dhe Krahinën e Sanxhakut. Mendoj se Rama këto i ka propozime interesante, fillimisht propozoi hartimin e draftit të Asociacioni tē komunave pakicë serbe në Kosovë, ku nuk kishte propozuar për Krahinën Shqiptare, por për Kosovë edhe tani KFOR-i, do të duhej të merr nën kontroll Krahinën e Sanxhakut dhe Preshevës ”, deklaroi shkurt Hasani.
Ndaj propozimit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai në një intervistë për median boshnjake “Hayat TV”, ka thënë se është Policia e Kosovës ajo që përgjigjet për sigurinë në Kosovë, pastaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.
“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë – e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, ka thënë Kurti.