Udhëheqësit e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian bënë thirrje të premten për shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës, ndërsa paralajmëruan pasoja në rast të dështimit.
Në përfundim të takimit dy ditor në Bruksel, Këshilli Evropian thekson se zgjidhja e problemeve duhet bërë në bazë të rekomandimeve të 3 qershorit të Bashkimit Evropian, që përfshijnë pezullimin e operacionece policore, që kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme dhe pjesëmarrjen e serbët e Kosovës në to.
Këshilli Evropian, thekson se palët duhet të vazhdojnë dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, zbatimin e shpejtë të marrëveshjes së normalizimit dhe zbatimit të saj. Kjo përfshin edhe “themelimin e Asociacionit, apo Bashkësisë, të komunave me shumicë serbe”, thuhet në tekstin përfundimtar.
Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në veri të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti paraqiti të enjten një plan tetë pikësh për shtensionimin e situatës në veri, duke e kushtëzuar tërheqjen e forcave policore me reduktimin e dhunës, ndërsa për zgjedhjet e parakoshme, ai ka kërkuar organizimin e një peticioni që duhet të mbështetet nga 20 për qind e votuesve. Në planin e tij kryeministri Kurti nuk e përmend çështjen e Asociacionit.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se gjatë javës do të shpallë masa ndëshkuese për Kosovën për shksk të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet.
Masat parashohin “pezullimin e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, pezullimin e financimit të programeve të Bashkimit Evropian, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për Investime në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.
Autoritetet në Kosovë thanë sot se masa të tilla janë të panevojshme dhe përcjellin mesazh të rrezikshëm./VOA