Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj në një postim të tij në Facebook ka reaguar ndaj veprimit të fundit të Presidentes Vjosa Osmani. Kjo e fundit kishte takuar djalin e heroit Afrim Bunjaku, që u vra në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë. Për këtë veprim të saj, Zyberaj ka një reagim në facebook.
“Djalin e heroit Afrim Bunjaku shumë mirë që e ke taku. A i tregove që terroristët që ia vranë baben, kanë negociu dhe janë leju prej qeverisë tënde e të Albinit me u largu pa një therr në këmbë”, shkruan ai në facebook.
E ndaj kësaj deklaratë, ka reaguar këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina. Ai i është kundërpërgjigjur Zyberajt duke thënë se Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë në dëm të Kosovës.
Sipas tij shpërndarja e propagandës serbë që është specialitet i Zyberajt dhe shefit të tij, Behgjet Pacolli po rrezikon sigurinë kombëtare.
Kupina shkruan se kjo deklaratë përmbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urrejtjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit.
“Jetlir Zyberaj Presidentja nuk ka negociuar asnjëherë dhe asgjë në dëm të Kosovës e aq më pak lirimin e terroristëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kanë kryer akt agresioni ngaj Republikës sonë dhe e kanë vra heroin Afrim Bunjaku. Shpërndarja e propagandës serbe (specialitet i Jetlirit dhe shefit të tij), rrezikon interesat e shtetit tonë dhe sigurinë kombëtare, rrezikon jetën e policëve të tjerë, të cilët çdo ditë po mbrojnë kufijtë e Kosovës si dhe tenton ta njollosë sakrificën sublime të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku. Përtej qëllimit të ulët e propagandistik, një deklaratë e tillë përbën shpifje të rëndë dhe nxitje të urretjes për të cilën Presidentja do të ndërmarrë veprime sipas ligjit”, shkruan këshilltari Kupina.