Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këta janë dy të rinjtë serbë që u lënduan nga shpërthimi në Veri, njëri nga ta në gjendje të rëndë

Mbrëmë para mesnatës, një shpërthim i madh trazoi banorët në Mitrovicë të Veriut. Si pasojë e kësaj, mbetën të lënduar dy të rinj të nacionalitetit serb, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari ende nuk është identifikuar.

Sinjali ka arritur që të mësojë identitetin e dy të lënduarve, Nikola Viçintijeviq 33-vjeçar dhe Dejan Vukomanoviq 37-vjeçar.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, njëri nga ta po trajtohet në mjekim intensiv për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhet.

Ndryshe, motivi dhe detajet që mund të kenë çuar drejt kësaj ngjarjeje të rëndë, nuk dihen ende, por sipas Policisë, nuk ka arsye të besohet që rasti ka lidhje me çështje etnike.

Zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani ka thënë se sipas informacioneve të para, cak kanë qenë tre persona të cilët ishin duke u futur në veturë kur u sulmuan.

Njëri prej tyre, sipas Elshanit ka qenë i plagosur edhe në një rast tjetër, vitin e kaluar.

“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike. Kjo çështje nuk është politike, mund të jetë për qërim hesapesh apo vepra të tjera. Jemi duke hetuar tashmë disa pista. Njëri nga të lënduarit ka qenë i plagosur në një rast tjetër vitin e kaluar, pra është i njohur.”, tha Elshani.

Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë.

Edhe në të kaluarën, në Mitrovicë të Veriut ka pasur incidente me mjete plasëse.