Për shkak të të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur të martën rreth orës 15:00 në rrugën Llapnasellë-Graçanicë janë arrestuar dy persona nga Policia e Kosovës.
Burime brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë, kanë bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se të arrestuarit në këtë rast janë Armir Osmani, djali i Ismet Osmanit-Currit, i akuzar për fajde dhe detyrim si dhe Mentor Beqiri, të cilët janë ndaluar me urdhër të prokurorit të shtetit.
Po ashtu, sipas burimeve të Prokurorisë, të përfshirë në këtë incident janë edhe Curri dhe persona të tjerë, të cilët ende janë në arrati.
Gjithashtu, bëhet e ditur se deri te ky incident ka ardhur pasi dy grupe nga Mitrovica kanë shtënë me armë zjarri ndaj njëri-tjetrit.
Arrestimin e dy të dyshuarve, më parë e konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në informacionet fillestare nuk raportohet për persona të lënduar. Deri tani në stacion policor janë shoqëruar në stacion dy persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë. Aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbardhjen e rastit”, tha ajo.
Ndryshe, aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021. Osmani, Nika, Bojku dhe Maqani akuzohen se kanë kryer veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.