Një zyrtar policor është suspenduar nën dyshimet për përfshirje në një përleshje fizike, të martën te pompa e derivateve ‘HIB’ në Graçanicë. Polici, bashkë me disa persona të tjerë janë futur në sherr dhe për pasojë tashmë janë cak i hetimit.
Gazeta raportoi për policin që u suspendua, teksa janë zbuluar edhe detaje të reja të incidentit.
Zyrtari policor dhe tre persona të tjerë kanë pasur një konflikt që nisi pas një mosmarrëveshje në komunikacion dhe eskaloi në rrahje.
Në këtë rast, përveç policit të dyshuar Arlind Iskurtit (21), personat e tjerë që po dyshohen janë Gentrit Gashi (21), Driton Murtezi (42) dhe Andi Vitija (20).
Polici Iskurti dhe të dyshuarit tjerë po hetohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Burimet kanë bërë me dije se zyrtari i suspenduar ka qenë jashtë detyrës zyrtare në momentin kur plasi sherri.
Bazuar në informacionet e para, i dyshuari Driton Murtezi ka qenë shofer i njërit automjet, ndërsa tre të dyshuarit të tjerë kanë qenë në furgonin që po e drejtonte i dyshuari Gentrit Gashi, Ky i fundit, fillimisht është kapur me Murtezin, e më pas janë përfshirë edhe polici dhe i dyshuari Vitija.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe i ka shoqëruar të dyshuarit në stacion, ndërsa është vënë në dijeni edhe Inspektorati Policor i Kosovës.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti, ndërsa janë siguruar edhe prova që dëshmojnë përfshirjen e tyre në këtë rast.