Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Këto janë akuzat e PDK-së për VV-në pas prishjes së koalicionit në Gjilan

Ish-drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit, Riad Rashiti nga radhët e PDK-së, ka deklaruar se arsyetimi i Hysenit, lidhur me prishjen e koalicionit nuk qëndron, pasi sipas tij, kanë pasur mosmarrëveshje në fusha të ndryshme.

“Ne si ish-partnerë të qeverisjes komunale, krizat e mosmarrëveshjeve tona i kemi pasur në shumë fusha dhe arsyetimi i dhënë nga kryetari, të merret si shkas për ndërprerjen e bashkëpunimit politik, nuk qëndron”.

Rashiti ka përmendur disa nga arsyet që çuan në prishjen e këtij koalicioni.

“Ne në seancën e fundit të Kuvendit Komunal kemi kërkuar shtyrjen e tri pikave me arsyen për të kërkuar informacione shtesë nga drejtoria e urbanizmit, e cila për 17 muaj nuk i ka sjellë në Kuvend për sqarim, ndërsa ka lëshuar leje ndërtimore mu në këto zona, pse edhe 15 vendime tjera të njëjta sikur këto tri vendime, nuk i ka sjellë për shfuqizim. Ne kemi qenë kundër dëmtimit të qytetarëve të cilët kanë bërë marrëveshje me ndërtuesit bazuar në këto vendime”, është shprehur ai.

Rashiti e quan kokëfortë kryetarin Hyseni, pasi sipas tij, ka një arsye që Kryetari po këmbëngulte që ato tri pika të kalojnë në atë seancë.

“Kryetari i komunës me kokëfortësinë dhe pa arsyeshmërinë e tij, ka kërkuar me çdo kusht që në këtë seancë të kalojnë këto tri pika. Pra për 17 muaj fare nuk ju ka ngut, ndërsa për një javë nuk e ka pas durimin. Kjo tregon se kanë pas një siklet të madh për të cilin do të kuptohet së shpejti për publikun”, ka theksuar ai.