Yndyrnat kanë një reputacion të keq për bllokimin e arterieve, sëmundjeve që lidhen me mbipeshën dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Megjithatë, jo të gjitha yndyrnat janë të dëmshme për shëndetin tuaj. Trupi juaj ka nevojë për yndyrnat e pangopura, në mënyrë që të marrë vitamina dhe të ruajë funksionet vitale.
Ndërsa yndyrnat e ngopura dhe të hidrogjenizuara duhet të shmangen sa më shumë që të jetë e mundur. Përdorimi i tepruar i tyre rrit rrezikun e sëmundjes koronare të zemrës dhe problemeve kardiovaskulare.
Më poshtë njihni shkurtimisht se cilat ushqime përmbajë yndyrna të pangopura dhe cila është sasia e rekomanduar për konsum ditor.
Yndyrnat e pangopura
Sipas të dhënav, konsumimi i tyre përmirëson nivelet e kolesterolit në gjak, zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe mund të ndihmojë në stabilizimin e niveleve të sheqerit në gjak.
Vajrat me sasi të larta të yndyrnave të pangopura janë vajrat si ai i ullirit, lulediellit, susamit, sojës dhe i misrit.
Ndërsa ushqimet me bazë bimore si avokadot, arrorët ose farat e lulediellit dhe të lirit, janë tepër të shëndetshme dhe përmbajnë yndyrna të pangopura.
Një vëmendje të veçantë e meritojnë edhe acidet yndyrore omega-3. Ato ju mbrojnë nga rrahjet e parregullta të zemrës dhe zvogëlojnë rrezikun e sëmundjes së arterieve koronare.
Omega 3 gjithashtu ju mbron kundër ndonjë sulmi të mundshëm kardiak dhe ngadalësojnë procesin e aterosklerozës.
Peshqit janë burimi më i mirë i acideve yndyrore omega-3. Sasia e rekomanduar është të paktën dy vakte me peshk në javë.
Sasia e këshilluar
Për një regjim ushqimor me 2.000 kalori, duhet të konsumoni 44-78g yndyrë çdo ditë. Shmangni ushqimin e shpejtë si picat, hamburgerët, mishin e përpunuar, ëmbëlsirat dhe yndyrnat si gjalpi, që janë të ngurta në temperaturën e dhomës.