Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KFOR e konfirmon: Refuzuam kërkesën e Kosovës për dërgimin e Forcave të Sigurisë në veri

 
   

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.

“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.

“Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese“, tha KFOR në përgjigjen e tij.

Misioni shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim. Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje gjatë një konference për shtyp nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri, por tha se “ne jemi të kufizuar në veri duke qenë se ushtria jonë, bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të shkojë në veri.”

“Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë.”

Kurti shtoi se, edhe pse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në veri, ai do ta respektojë atë.

“A do të ishte më mirë dhe më e sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje, dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi”, ka thënë Kurti.

Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Kurti e ka bërë këtë kërkesë NATO-s./rel