Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KFOR-i negocioi largimin e terroristëve nga Banjska, Islami: Qëllimi ishte dëbimi, e jo vrasja e tyre

 
   

International Crisis Group, që për mision ka parandalimin e konflikteve në botë, ka dalur me një draft-raport sa i përket sigurisë në Ballkanin Perëndimor, konkretisht në Kosovë.

ICG në këtë raport ka treguar disa të gjetura për sulmin në Banjskë, ku është përmendur në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s.

Aty u tha se në raportin e ICG-së është përmendur se KFOR ka negociuar për tërheqjen e e paramilitarëve serbë nga Banjska.

“Nga frika e një gjakderdhjeje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit në pyjet përreth, nga të cilat ata u shkrinë. Kosova beson se deri në 200 luftëtarë të tjerë ishin fshehur në atë kohë në pyllin e dendur midis Banjskës dhe kufirit serb”, thuhet në këtë raport.

E lidhur me këtë njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami në një prononcim, ka thënë se ky raport nuk është risi për institucionet e shtetit të Kosovës.

Sipas tij qëllimi i institucioneve të sigurisë në vend nuk ka qenë vrasja e terroristëve që ndodheshin brenda Manastirit në Banjskë, por ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

“Raporti i fundit për rastin Banjska për ekspertët e sigurisë dhe institucionet e shtetit të Kosovës nuk është risi, për shkak se mënyra sesi ata kanë qenë të rrethuar ka qenë e pamundur që të dilet ashtu siç kanë dalë. Duke pasur parasysh që ata kanë qenë tërësisht të zbuluar, të gjithë ata brenda terrorit të Kosovës kanë mundur të ekzekutohen ose të vriten nga snajperët e Njësisë Speciale të Kosovës. Qëllimi i institucioneve të sigurisë në Kosovë, nuk ka qenë që të vriten njerëz por të dëbohen dhe mos të shkaktohet më e keqja brenda terrorit të Kosovës”, tha Islami.

Ai tutje shtoi se mosekzekutimi ose mosvrasja e tyre e ka arrit efektin shumëfish më të madh sesa po të vriteshin.

“Në aspektin politik dhe ndërkombëtar Kosova ka përfituar për shkak se i ka zbatuar marrëveshjen që KFOR-i ka arritur me ata kriminelë. Sepse qëllimi i institucioneve të sigurisë nuk ka qenë që të vriten njerëzit por të ruhet sovraniteti dhe integritetit territorial i Kosovës, pra nuk kanë qenë të interesuar që të vriten numër aq i madh i atyre që kanë hyrë në territorin e Kosovës, qëllimi ka qenë që të neutralizohen, tu konfiskohet armatimi dhe të dëbohen nga territori i Kosovës”, u shpreh Islami.

Më 24 shtator 2023 një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë tre sulmues.

Kosova e konsideron shtetin e Serbisë përgjegjës për organizim dhe kryerje të sulmit, mirëpo Beogradi mohon diçka të tillë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai aktualisht besohet se është në Serbi, dhe ndaj tij është lëshuar një fletarrestim ndërkombëtar nga Organizata Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL).

Faktori ndërkombëtar ka kërkuar shumë herë që përgjegjësit e sulmit të përballen me drejtësi.