Zëvendëskomandanti i KFOR-it gjeneral brigade Federico Bernacca, priti sot në takim një delegacion të Listës Serbe, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë, duke përfshirë veriun e Kosovës.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se gjenerali Bernacca dëgjoi shqetësimet e shprehura nga Lista Serbe dhe kryetari i saj Zlatan Elek.
Bernacca theksoi se KFOR-i ka prani të dukshme ë mbarë Kosovën dhe është i përgatitur për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë.
Ai përsëriti përkushtimin e palëkundur të misionit për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin për të gjithë qytetarët në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Në këtë drejtim, KFOR-i vazhdon të mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në Kosovë.