Komanda e forcave ndërkombëtare të KFOR-it përmes një kumtese mbrëmë ka kumtuar se “njësitet e saj në përbërje të KFOR-it janë të gatshme dhe plotësisht të përkushtuara në mbajtjen e mjedisit të sigurt për të gjithë njerëzit”, transmeton “Bota sot”.
Sipas RTS, ky është reagim i KFOR-it në deklaratën e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani se “mos marrja e masave ndaj Serbisë do të jetë nxitje për vazhdimin e përdorimit të dhunës”, por ajo shtoi se “qëndron në koordinim të afërt me të gjithë në vlerësimin e situatës së sigurisë në Kosovë”.
KFOR-i është i gatshëm dhe plotësisht i përkushtuar në ruajtjen e mjedisit të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë – në harmoni me rezolutën 1244 dhe obligimet që dalin për siguri dhe qarkullim të lirë, thuhet në kumtesën e KFOR-it.
Osmani në adresimin në fund të vitit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se pas serisë së incidenteve dhe konfliktit të armatosur në veri të vendit “rreziku ende nuk ka kaluar”.
“Nga ana tjetër, me mos marrjen e masave adekuate kundër Serbisë për shkak të agresionit të hapur me 24 shtator dhe sulmit të gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it në maj, për fat të keq vetëm sa janë inkurajuar shkaktarët e krimeve të tilla që të vazhdojnë përdorimin e dhunës”, tha Osmani.