Eksperti i sigurisë, Drizan Shala komentoi në një intervistë televizive deklaratën e kancelarit gjerman Olaf Scholz se KFOR duhet të jetë në gatishmëri në Kosovë.
Shala tha se paralajmërimi i Scholz lidhet me reduktimin e trupave të KFOR në Kosovë përgjatë viteve të fundit.
Në një deklaratë nga Berlini një ditë më parë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, tha se tensionet e fundit në Kosovë kanë dëshmuar se sa e rëndësishme është prania e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“NATO është garantues i sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Kosovë përmes KFOR-it. Gjermania merr pjesë në këtë mision përmes forcave të armatosura. Tensionet në ditët e fundit kanë ilustruar se sa e rëndësishme është kjo prani dhe që KFOR-i duhet të jetë në pozicion që të reagojë në mënyrë të duhur ndaj të gjitha zhvillimeve”, tha kancelari gjerman.