Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë thirrje për dialog dhe koordinim të ngushtë në lidhje me çështjen e hapjes së urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Në një komunikatë për media, KFOR ka kërkuar që çdo vendim që lidhet me këtë urë të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar, duke shmangur deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione në rajon.
KFOR njofton se do të ndërmarrin veprime të menjëhershme në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibël në mbarë Kosovën dhe komandanti i KFOR-it ka autoritetin për ta përshtatur atë sipas nevojës dhe nuk do të hezitojë të veprojë në përgjigje të çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Është thelbësore që të gjithë aktorët të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet e njëanshme që mund të krijojnë tensione. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën – për të mirën e të gjithë njerëzve dhe komuniteteve – dhe për stabilitetin rajonal”, thuhet ne njoftim e KFOR-it.
“Ne do të vazhdojmë të koordinohemi ngushtë me të gjithë homologët tanë, përfshirë Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), si reagues të parë dhe të dytë të sigurisë, respektivisht. KFOR-i ka burime të mira dhe është i pozicionuar mirë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e misionit të tij të mandatuar nga OKB-ja”.
Pak më herët u bë e ditur nga Qeveria se kryeministri, Albin Kurti, e ka pritur në takimin komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, me të cilin kanë folur për hapjen e urës së Ibrit.
Siç thuhet në njoftim ndër temat kryesore të takimit ka qenë çështja e hapjes së urës së Ibrit.
“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, zv/ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se ka pranuar raportin fillestar për stabilitetin e urës së Ibrit dhe ka thënë se ka rezultuar që ura është “stabile, e qëndrueshme dhe funksionale”.
“Ura mbi lumin Ibër është stabile, e qëndrueshme dhe funksionale. Sapo kemi pranuar raportin nga testimi i kapacitetit të mbajtjes së strukturës së urës ekzistuese mbi lumin Ibër. Raporti konludon qartë se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale, dhe si e tillë mund të përdoret për shfrytëzim pa asnjë kufizim në ngarkesë”, ka thënë Durmishi.