Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka drejtuar një letër të hapur udhëheqësve të institucioneve të Kosovës më anë të secilës paralajmëron ndërprerjen e punës për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë.
Në letrën drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës, ministrit të Financave, Punës dhe Transferëve, Hekuran Muratit dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, KGJK thotë se punonjësit në Pallatin e Drejtësisë janë duke punuar në kushte alarmante.
“Si pasojë e mos funksionimit të sistemit të klimatizimit në Pallatin e Drejtësisë dhe rritjes së temperaturës në ambientet e punës deri me 35 gradë celcius, Këshilli Gjyqësor dhe kryetarët e Gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë, kanë vendosur që t’ju drejtohen me këtë letër të hapur: Edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, ndër vite, që bashkërisht me secilin nga përgjegjësit të punojmë për përmirësimin e kushteve elementare të punës në Pallatin e Drejtësisë, gjendja është përshkallëzuar më tepër dhe tani kemi arritur në situatën që gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës Supreme, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës Themelore të Prishtinës të punojnë në kushte alarmante të punës, si rezultat i mos funksionimit të sistemit të ajrosjes në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në letrën e KGJK-së drejtuar krerëve të Qeverisë së Kosovës.