Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Kica – Xhelili kritikon Qeverinë: Arsyetojnë asgjën me asgjë, janë as dru as letër

 
   

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar Qeverinë dhe partinë në pushtet për keqpërdorimin e rrugës së zgjedhur për shtetin dhe punën kundër qëllimeve të saj.

Deputetja Kica-Xhelili ka theksuar se Kosova gjithmonë ka vlerësuar dhe mbështetur të vërtetën e saj të palëkundshme, dhe në përputhje me këtë, ka zgjedhur rrugën e miqve për të arritur qëllimet e saj të lirisë dhe pavarësisë.

Ajo ka vlerësuar aleancën e Kosovës me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova gjithmonë ka njohur të vërtetën e saj. Për shkak të kësaj të vërtete të palëkundshme, ka zgjedhur rrugën e miqve. Rrugën që shtëpia të mos mbahet pa miq. Ndonjëherë ka gëlltitur kritikë masash sepse ishte e vetëdijshme për rrugën e saj. Për qëllimin final. Për Kosovën e lirë dhe të pavarur, me aleancë në BE dhe NATO, dhe miqësi të përhershme me SHBA”, ka shkruar ajo në Facebook.

Megjithatë, Kica-Xhelili ka shprehur shqetësimin e saj për faktin se ka individë që keqpërdorin këtë rrugë dhe punojnë kundër interesave të Kosovës.

Ajo ka akuzuar deputetët e LVV-së për veshjen e petkut të patriotizmit dhe për pozicionimin në kahun e atyre që kanë vepruar për zhbërjen e vlerave të Kosovës.

Kica-Xhelili ka theksuar se këta individë flasin si bartës të nderit dhe trashëgimtarë të qëndresës, por sipas saj, në veprat e tyre tregojnë përkundrazi.

Gjithashtu, deputetja e LDK-së ka deklaruar se ka prej atyre që sipas saj, abuzojnë me emrat e familjeve, patriotëve, ideologjive, rrugëve dhe qëllimeve për të përfituar për vete, pa kontribuar në të mirën e Kosovës.

“Sidoqoftë, fatkeqësia më e madhe, është që ka edhe të tillë që në emër të po kësaj rruge, punojnë kundër saj. Këta e veshin petkun e rrugës së trasuar por veprojnë në zhbërjen e saj. Këta flasin si bartës të nderit e vlerave, si bartës të historisë e trashëgimtarë të qëndresës teksa pozicionohen pikërisht në kahun e atyre që kanë vepruar për zhbërjen e tyre. Këta keqshfrytëzojnë edhe emra familjarësh, edhe emra patriotësh, edhe ideologji, edhe rrugë, edhe qëllim”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së deputetët e partisë në pushtet i ka cilësuar si njerëz që “nuk bëjnë asgjë dhe nuk mbështesin asnjë qëllim”.

“Këta arsyetojnë asgjënë me asgjë, sepse as nuk bëjnë gjë, as nuk qëndrojnë për gjë.Këta nuk janë as mish, as peshk. As dru as letër”, ka përfunduar ajo.