Ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i AKI-së Bashkim Smakaj dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Fadil Faziu, të cilët të enjten janë arrestuar në një aksion të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, janë duke u mbajtur ende në zyrat e EULEX-it në Fushë-Kosovë.
Djali i Fadil Fazliut, Fahriu, të premten në një prononcim për media ka thënë se ai ka kërkuar që ta takojë babain e tij po që nuk i është lejuar.
Ai ka thënë se zyrtarë të EULEX-it nuk i kanë dhënë informata atij e as avokatit të Fazliut, nëse babai i tij do të dërgohet në Hagë.
ZPS-ja të enjten ka njoftuar se aksioni ka të bëjë me dyshimet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e Speciales, i lëshuar gjatë ditës së enjte.
Isni Kilaj ka pasur aktakuzë të ngrirë, mirëpo ajo është ndryshuar dhe ai llogaritet si i dyshuar.