Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, thotë kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme nga Finlanda, Kimmo Kiljunen. Ai i konsideron për keqardhje pengesat nga ana e Serbisë, meqë thotë se anëtarësimi nënkupton edhe mbrojtjen e të drejtave të serbëve që jetojnë në Kosovë. Në intervistën për KosovaPress, ai flet për vizitën në Kosovë, Shqipëri dhe Serbi dhe presionin për themelimin e Asociacionit. Sipas tij, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet në katër komunat veriore ka shënuar një rekord botëror. Po ashtu, thekson se bojkoti i serbëve është turp dhe se situata aktuale është e tensionuar.
Kimmo Kiljunen, i cili është edhe kryetar i delegacionit finlandez në Këshillin e Evropës flet për votën pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare.
Kiljunen: Votova pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës
“Unë jam ‘fajtor’, duhet sinqerisht të them jam fajtor, sepse i përkas 131 anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që votuan për Kosovën, prandaj jam ‘fajtor’ për rezolutën dhe duke qenë kryetar i delegacionit finlandez në Strasburg, isha javën e kaluar atje dhe votova, votova pro. Pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës janë 131 anëtarë, 29 kundër dhe 11 abstenime. Ky ishte rezultati dhe shumica ishte e qartë, urime, urime për vendin tuaj. Argumenti im ishte shumë i qartë. Unë thashë që nuk bëhet fjalë për vetë shtetësinë, tashmë u shpreha se Finlanda e ka njohur shtetësinë, por për këtë nuk votuam në Këshillin e Evropës. Kjo është një organizatë për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës është një organizatë për të drejtat e njeriut, e përkushtuar ndaj çështjeve të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, deklaron ai.
Ai thekson se Finlanda mbështet anëtarësimin e Kosovës edhe në organizata të tjera ndërkombëtare, teksa thekson se Këshilli i Evropës është organizatë e vlerave të përbashkëta. Këtë thotë se e ka përmendur edhe në takimet që ka zhvilluar në Serbi, por që tregon se është kritikuar.
Kiljunen: Zbrazëti në Evropë mos përfshirja e Kosovës në Këshillin e Evropës
“Problemi i madh është se 1.7 milionë kosovarë janë jashtë Këshillit të Evropës dhe jashtë sistemit të të drejtave të njeriut në Evropë, përfshirë Konventën për të Drejtat e Njeriut, dhe Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. Dhe sigurisht, pyetja themelore për ne ishte qasja e kosovarëve në Këshillin e Evropës, sistemin e të drejtave të njeriut, sistemin e përbashkët evropian për të drejtat e njeriut. Kjo është një zbrazëti në Evropë, njerëzit tuaj, ju, ju jeni jashtë. Pra, kjo ishte arsyeja kryesore për të votuar për anëtarësimin tuaj në Këshillin e Evropës, duke përfshirë, dhe e thashë shumë qartë edhe para serbëve, ne diskutuam në Beograd për këtë çështje, ata ishin kritikë ndaj meje dhe thanë se çfarë, si, pse kështu? Unë e thashë shpjegimin dhe thashë në fakt është edhe interesi juaj, është edhe interesi i serbëve, sepse kur anëtarësoheni në Këshillin e Evropës një nga çështjet kryesore në Këshillin e Evropës janë të drejtat e minoriteteve, garancitë e të drejtave të minoriteteve dhe monitorimi i të drejtave të minoriteteve dhe kjo nënkupton për serbët, minoritetin serb në Kosovë, se ata do të ishin pjesë e sistemit të monitorimit se si i respektoni detyrat tuaja për të drejtat e minoriteteve”, shton ai për KosovaPress.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, Kiljunen shton se nënkupton edhe anëtarësim në sistemin e të drejtave të njeriut në Evropë.
I pyetur se a duhet të lidhet ky proces me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai deklaron se Kosova është dakorduar për një gjë të tillë.
Kiljunen: Jeni dakorduar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe
“Kjo është një çështje relevante, ne në Finlandë po e mbështesim, gjithashtu edhe unë, iniciativën e Bashkimit Evropian për të lehtësuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, dhe një nga elementët për të cilin jeni dakorduar në këtë proces të dialogut është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe dhe të drejtën e tyre për t’u organizuar, dhe ne po mbështesim që kjo të materializohet si pjesë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, kështu që ne po e mbështesim atë”, deklaron ai.
Për keqardhje i konsideron pengesat e Serbisë në këtë proces të anëtarësimit, për çka shton se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit e Evropës.
Kiljunen: Është për keqardhje mos mbështetja e Serbisë
“Mendoj se është për të ardhur keq, e konsideroj keqardhje nga perspektiva e të drejtave të njeriut, veçanërisht sepse Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, dhe kjo është për të ardhur keq. Dje kam diskutuar me serbët dhe mund t’i citoj, ata thonë se nuk e mbështesin kurrë, ‘Ne kurrë nuk e mbështesim anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe asnjë organizatë tjetër’, nuk më thanë se do të votojnë kundër, ata thanë vetëm se ‘Ne jemi kundër’, ata gjithashtu mund të, kjo është një… ? potencial, mund të bëjnë gjithashtu një abstenim konstruktiv. Pra, ata nuk votojnë fare, nuk e mbështesin anëtarësimin tuaj, por nuk votojnë kundër, kjo do të ishte zgjidhja, ky do të ishte një kompromis i bukur. Por kuptova që një nga parakushtetet për këtë është që ne të mbrojmë të drejtat e serbëve që jetojnë në Kosovë, të drejtat e serbëve të Kosovës në vend, duke përfshirë edhe idenë e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe”, shton ai.
Teksa flet për procesin zgjedhor të javës së kaluar në veri të vendit, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Finlandë deklaron se është shënuar rekord botëror i pjesëmarrjes së ultë të qytetarëve.
“Nuk e njoh mirë situatën, por përshtypjet e para janë se politikisht është një situatë e tensionuar. Më vjen keq që fundjavën e kaluar organizuat zgjedhje në katër komunat në veri dhe pjesëmarrja ishte nën 1%, zero pike diçka. Unë do të thoja që është një rekord botëror. Asnjëherë, kurrë në zgjedhjet e organizuara nuk ka pasur më pak se 1% votues. Është turp. Është turp të organizohen zgjedhjet në atë mënyrë dhe turp për ata që i bojkotuan. Pse bojkotuat? Zgjedhjet janë mënyra për të mbajt qëndrim, pozicione dhe për të kontribuar. Nëse jeni duke abstenuar, pse kritikoni atëherë? Nëse nuk votoni fare, pse kritikoni situatën? Nuk përpiqeni të ndikoni. Prandaj është shumë, shumë keq. Kështu që nuk e shoh shumë pozitivisht”, thekson ai.
Parakusht i Kosovës dhe Serbisë për anëtarësim në Bashkim Evropian, shton ai, janë marrëdhëniet e mira. Sipas tij, Kosova duhet të bëjë kompromise.
Kiljunen: Përpiquni të krijoni dialogun, bëni kompromise
“Finlanda është një nga vendet që flet për dialog, frymën e Helsinkit, kompromise, ju lutem mundohuni të punoni për dialogun nga të dyja anët, nga pala e Prishtinës dhe nga pala e Beogradit, besoni tek njëri-tjetri, përpiquni të krijoni dialogun, bëni kompromise dhe ecni përpara, mos shikoni historinë. Pastaj, kur shikoni historinë, nuk merrni asnjë përgjigje, merrni përgjigje tek e ardhmja dhe shpresoj se këtu mund të ndërtoni një dialog pozitiv. Kjo është gjithashtu e rëndësishme për zgjerimin tuaj të Bashkimit Evropian, sepse kjo varet shumë se ju mund të keni një marrëdhënie të mirë, Serbi-Kosovë. Ky është parakushti më i madh për anëtarësimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian”, përfundon ai.
Kryetar i delegacionit finlandez në Këshillin e Evropës, Kimmo Kiljunen thekson mbështetjen e vendit të tij në anëtarësimin e Kosovës edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, siç shton ai, i mbetet Kosovës që të vendosë nëse dëshiron të jetë pjesë edhe e aleancës së NATO-s dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara.