Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka thënë të premten se Koreja e Jugut është shtet i huaj armiqësor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve KCNA.
Ajo publikoi fotografi të Kimit me ushtarë të rangut të lartë duke e analizuar një hartë të quajtur “Seul” në një post komandues.
Kimi diskutoi për përdorimin e “forcës së ofensive” kundër Jugut si hakmarrje për çdo lëvizje që cenon sovranitetin e Koresë së Veriut, sipas artikullit në KCNA, në të cilin nuk pati shpjegim se cfarë force mund të përdoret.
Një ditë më herët, Koreja e Veriut konfirmoi se Kushtetuta e saj e ndryshuar rishtazi e përcakton Korenë e Jugut si “vend armik” për herë të parë.
Kimi e ka kritikuar vazhdimisht Korenë e Jugut këtë vit, duke e akuzuar se po bashkëpunon me Shtetet e Bashkuara në përpjekje për ta rrëzuar regjimin e tij.
Urdhri i Kimit në janar për ta rishkruar Kushtetutën befasoi shumë ekspertë të huaj, pasi u pa si një eliminim i idesë së shtetësisë së përbashkët ndërmjet Koreve të ndara nga lufta dhe si një shkëputje nga ëndrrat e paraardhësve të tij për të arritur paqësisht bashkimin e Koreve sipas kushteve të Veriut.
Ajo i shkatërroi lidhjet rrugore dhe hekurudhore me Jugun këtë javë, po ashtu. Këto veprime nënvizojnë “jo vetëm ndarjen fizike, por edhe fundin e marrëdhënieve të dëmshme me Seulin”, e citoi KCNA Kimin të ketë thënë, shkruan REL.
Seuli ka thënë se, nëse Koreja e Veriut shkakton dëme ndaj popullit të tij, “ajo ditë do të jetë fundi i regjimit të koreanoverior”.
Kimi i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të selisë së Korpusit të 2-të të ushtrisë koreanoveriore të enjten, tha KCNA. Kjo është njësi e madhe ushtarake që përfshin disa brigada të vendosura përpara me armë të rënda në drejtim të Koresë së Jugut.
“Kim po përpiqet t’i forcojë mentalisht ushtarët në vijën e parë me komentet e tij”, tha Yang Moo-jin, president i Universitetit të Studimeve për Korenë e Veriut në Seul.
“Kjo retorikë e ‘dy vendeve armiqësore’ është, në fund të fundit, strategjia e mbijetesës së Kim Jong Unit… Mos ndërhy, jeto veçmas si një vend armik. Është një rrugë që (Koreja e Veriut) nuk e ka ndjekur kurrë më parë, dhe askush nuk mund të jetë i sigurt për suksesin e saj”.
Tensionet mes dy Koreve janë rritur prej kur Veriu filloi të dërgonte balona me mbeturina përtej kufirit në Jug në fund të majit, duke e nxitur Seulin t’i përgjigjet me transmetime propagandistike me altoparlantë, gjë që e zemëroi Phenianin.
Koreja e Veriut ka rritur retorikën e saj armiqësore ditët e fundit, duke akuzuar ushtrinë e Jugut për dërgimin e dronëve mbi kryeqytetin e saj për tri ditë këtë muaj dhe kërcënoi me një “katastrofë të tmerrshme” nëse zbulon një tjetër dron mbi hapësirën e saj ajrore.
Qeveria e Koresë nuk ka treguar nëse ka dërguar apo jo dronë në Veri, apo nëse ata janë dërguar ushtria e saj apo nga civilë.
Të premten, komandantët më të lartë ushtarakë të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara mbajtën një takim vjetor të Komitetit Ushtarak dhe shprehën shqetësim për sfidat e sigurisë që burojnë nga kërcënimet e Koresë së Veriut.
Të dielën, Koreja e Jugut do të fillojë ushtrimet e mëdha ushtarake vjetore, të quajtura Hoguk, për të përmirësuar performancën operacionale.
Tags: Kim Jong UnKoreja e JugutKoreja e Veriut