Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

ShowBizzz

‘Kishin kredi e borxhe…’/ Gazetari tregon detaje nga vrasja e Liridonës

Vrasja e Liridona Ademajt tronditi opinionin publik, pasi mes të arrestuarve për këtë ngjarje është edhe bashkëshorti i viktimës.

Naim Murseli akuzohet se ka porositur vrasjen e Liridonës. Në media është aluduar se shkaku ishte një sigurim jete që viktima kishte në Suedi, pasi kishte nënshtetësi suedeze.

Gjithashtu është aluduar një lidhje jashtëmartesore e Naimit për të cilën thuhet se Liridona ishte në dijeni.

E teksa ngjarja është e mbuluar me pikëpyetje dhe priten hetimet e policisë së Kosovës, gazetari Ervin Dushi ka ndarë detaje nga jeta e çiftit në Suedi.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në Vizion Plus, gazetari tha se çifti Murseli në Suedi kishte disa kredi dhe borxhe. Për sa i përket sigurimit të jetës, ai tha se vetëm personat VIP mund të përfitojnë sigurim të lartë.

Dushi: Familja Murseli ka një biznes të cilin e ka pasur pasiv në dy vitet e fundit. Është biznes në fushën e ndërtimit, por nuk ka pasur ndonjë të ardhur të madhe as më parë. Nëse i referohemi vitit 2020, si Liridona si Naimi kanë të ardhura rreth 300 e ca mijë korona, pra rreth 30 mijë euro në vit. Në një konsultim që unë kam pasur me agjencitë e sigurimeve kam marrë një përgjigje që mbi 1 milion marrin vetëm ata që janë persona VIP. Dhe siguracione VIP marrin vetëm ata persona që i plotësojnë disa kushte. Të tjerët mund të shkojnë maksimumi 590-800 mijë euro, por mos harrojmë se janë të ndara në dy dhe kanë 32% taksa.

Familja ka pasur shumë debite këtu, kanë kredi pa paguar, kredi personale, kredi biznesi. Po t’i shohim janë 3. Nuk ka pasur një jetë të shfrenuar siç paraqitet, unë i referohem letrave, jo thashethemeve. Sipas dokumenteve aty kanë debite, biznesi i tyre është një kafe lagjeje, një kafe e vogël në qytet. Liridona ka menaxhuar firmën e pastrimit dhe kafen. Ndërsa zotëria, Naimi, nuk është njohur për shumë aktiv, por është paraqitur si pjesë e politikës.

A ka informacion për ndonjë pasqyrim të mundur të të ardhurave, pronave në shtetin e Kosovës?

Dushi: Suedia ka diçka që nuk ecën mbi ujë të turbullt. Ata po presin hetimet, pra po presin mbylljen e hetimeve. Momentalisht akoma nuk është shkruar emri i Naim Murselit në media. Arrestohet familjari i Liridona Ademajt, nuk thuhet që është arrestuar i shoqi.

Për rastin kanë rënë në pranga Naim Murseli dhe Granit Plava i cili akuzohet se ka qëlluar Liridonën kundrejt 30 mijë eurove të paguara nga Murseli. Gjithashtu në pranga kanë rënë Kushtrim Kokalla dhe Tomë Doda, të cilët akuzohen si të përfshirë në ngjarje.