Po bëhen gati dy muaj që kur zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak arritën marrëveshjen për deesakalimin e situatës në Veri.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka kërkuar nga Serbia që të fillojë hapat e parë për zbatimin e marrëveshjes së Bratisllavës të nënshkruar më 10 korrik.
Kosova tashmë i ka larguar 25 përqind të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që ishin vendosur në komunat veriore.
“Kosova ka ndërmarrë hapin e radhës në zbatimin e marrëveshjes së 10 korrikut në Bratisllavë. Rënia e mëtejme e pranisë së policisë në dhe përreth objekteve të komunave pason konkluzionet e përbashkëta të vlerësimit të sigurisë”, ishte shprehur zëvendëskryeministri Bislimi.
Ai ka deklaruar se pas Marrëveshjes së Bratisllavës, ka një proces të besueshëm drejt de-përshkallëzimit.
Mirëpo pavarësisht hapave që ndërmori, Kosova vazhdon të jetë nën “kthetrat” e sanksioneve të vendosura nga Bashkimi Evropian. Madje për BE-në këta hapa janë të pamjaftueshëm për heqjen e sanksioneve.
Nga ana tjetër, Kosova ka afat deri më 1 shtator që të hartojë udhëzimin administrativ për caktimin e datës së zgjedhjeve në 4 komunate e veriut.
Duke e komentuar këtë situatë, Dr. Enver Bytyçi ka thënë për gazetën “Bota sot” se zgjedhjet e parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veriun e Kosovës janë bërë problem i madh për Brukselin dhe Uashingtonin.
“Sikur të interesoheshin këto dy qendra kaq shumë për fatin e rajonit, pra sa janë shqetësuar për ribërjen e zgjedhjeve në katër komuna ku kanë të drejtë të votojnë vetëm diku te 35 mijë zgjedhës, do të kishim tashmë një Ballkan Perëndimor anëtar të Bashkimit Evropian. Por fatkeqësisht të gjitha energjitë diplomatike e politike të burokratëve të këtyre dy qendrave perëndimore janë drejtuar te mbështetja e tyre për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Paradoksale është kjo. Por kjo është e vërteta. Prej së paku katër muajsh gjithë Evropa dhe SHBA-të po merren me ribërjen e këtyre zgjedhjeve. Madje pa dhënë asnjë garanci se serbët do të marrin pjesë në këto zgjedhje. I bëjnë çoka pa fund kreut të shtetit serb. Me justifikimin se “po e shkëpusin nga aleanca e tij me Rusinë”! Ndërkohë në praktikë çfarë po ndodh? Vuçiç urdhëron sërishmi policët serbë në policinë e Kosovës që të lëshojnë detyrën që kanë. Pra të bojkotojnë këtë institucion të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë. Presidenti I Serbisë urdhëron Listën Srpska të flasin për “polici fashiste” në Kosovë, që ata të shpikin lloj-lloj akuzash kundër qeverisë dhe policisë së Kosovës.
Ndërsa Hill, Escobar, Lajçak, Borrell i buzëqeshin Vuçiçit, madje ia fërkojnë krahët dhe barkun atij, vendosin sanksione ose barriera kundër Kosovës. Sikur qeveria e Kosovës u tha serbëve bojkotoni institucionet e vendit. Vuçiç organizon çdo akt destruksioni dhe diversioni në veriun e Kosovës, ndërkohë diplomatët e lartpërmendur bëjnë raporte kundër Kosovës. Këtyre diplomatëve destruktivistë i është bashkuar edhe kryeministri I Shqipërisë. Kjo është e turpshme”, ka thënë profesori.
Dr. Enver Bytyçi
Ai ka potencuar se zgjedhjet duhet të bëhen dhe se qeveria e presidentja e Kosovës janë angazhuar për këtë.
“Dhe angazhimi I tyre nuk është mashtrim, siç janë mashtrime të gjitha premtimet e Aleksandër Vuçiç. Por diplomatët perëndimorë, sa kohë do ta mbajnë kaliqafë ministrin e kallashnikollit të qeverisë së Milosheviçit, nuk do të bëhen racionalë në raportet me Kosovën. Aq shumë po e thellojnë këta diplomatë konfliktin, sa po më duket se ata duan ta shtyjnë Kosovën e Serbinë ne një konflikt të armatosur. Jam I dyzuar të them nëse është vërtet interes I Putinit një konflikt në rajon, apo është interes I diplomatëve të korruptuar nga korruptorët ballkanas.
Nuk e di deri ku janë zhytur autokratët e Ballkanit, sidomos Vuçiç dhe Rama, në korrupsion dhe bashkëpunimin e tyre në krim. Sa më shumë të jenë zhytur këta në krim, aq më shumë janë të interesuar që në këtë rajon të ketë një konflikt të armatosur. Ky konflikt do të vlente për të humbur gjurmët e provave të fajësisë së tyre. Këta mesa duket kanë korruptuar jo pak autoritete perëndimore. Dhe ajo që ndodh më pas – lidhet me transferimin e përgjegjësisë tek ata që nuk kanë asnjë përgjegjësi. Konkretisht fajësuan Kosovën dhe I ndëshkuan me disa masa të pezullimit të fondeve të zhvillimit”, ka nënvizuar ai.
Sipas dr. Bytyçit, presioni do të vazhdojë, por askush nuk mund të thotë pse qeveria e Kosovës është përgjegjëse dhe fajtore për situatën e krijuar.
“Presioni adresohet sipas kostumeve që diplomatët kanë veshur. Jo sipas së drejtës dhe të vërtetës. Pastaj dalin e kërkojnë të vazhdojë dialogu. Cili dialog? Ai për krijimin e një republika Srpska në Kosovë?! Apo dialogu për ndarjen e saj?! Duhet të jesh naiv të besosh se ndërkombëtaret nuk e njohin situatën dhe nuk e dine faktin se fajtor për gjithçka është Aleksandër Vuçiç. Por I mëshojnë fajësisë pa faj të Albin Kurtit. Pse? Sepse u duhet të bëjnë presion te ai për lëshime ndaj Serbisë në dialog. Sepse duan që t[I bëjnë koncesione Aleksandër Vuçiç me iluzionin se pas kësaj presidenti I Serbisë do të bëhet një Gjon Kened I Serbisë! Përralla me mbret janë këto!”, ka nënvizuar ai.
Megjithatë ai thotë se nuk e beson që masat nga BE-ja janë ndërmarr për shkak të zgjedhjeve në veri dhe as nuk do të hiqen me zhvillimin e zgjedhjeve.
“Megjithatë qeveria e Kosovës ka detyrë të përgatisë zgjedhjet në ato katër komuna. Sigurisht bazuar në ligjet dhe kushtetutën e Kosores, si dhe në kodin elektoral të saj. Por vetëm pasi të marrë garanci se serbët do të marrin pjesë në votime dhe se masat kundër Kosovës do të hiqen në momentin e shpalljes së datës së zgjedhjeve. Unë nuk besoj se masat kundër Kosovës janë marrë për shkak të situatës në veri. Prandaj dhe nuk besoj gjithashtu se ato do të hiqen pas zhvillimit të zgjedhjeve. Ato masa kanë target më shumë sesa këto zgjedhje. Duan ta lodhin Kosovën e të kapitullojë para kërkesave serbe të evropianëve sidomos për Zajednicën”, ka theksuar ai.
Duke e parë gjithë këtë situatë Bytyçi konsideorn se zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është larg, kjo pasi nga të gjithë po fajësohet vetëm kryeministri Albin Kurti.
“Përfundimisht mendoj se zgjidhja nuk duhet të kërkohet vetëm nga njëra pale. Gjithmonë kur dy pale janë në konflikt, zgjidhja bëhet me angazhimin e të dy palëve. Por deri më sot nuk kam pare që t[I bëhet presion Serbisë. Askush nuk ka thënë se garanton pjesëmarrjen / e serbëve ne këto zgjedhje, çka do të thotë se zgjidhje nuk ka e nuk mund të ketë. Konfliktet zgjidhen kur secila pale merr përgjegjësitë e saj. Ndërsa këta, përfshirë dhe kryeministrin e Shqipërisë, bëjnë përgjegjës vetëm njërën pale. Përkatësisht kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin! Që këtu duket se zgjidhja është larg!”, ka përfunduar ai.