Rreth 20 për qind e policëve nuk e kanë ende deklaruar pasurinë. Këta dhe të tjerët të cilët nuk kanë bërë transparente kuletat e tyre shpejt pritet të gjobiten. Kurse nga procesi i vitit të kaluar, një numër i madh pritet të dërgohen në prokurori.
Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj deklaron se javën e ardhshme do të finalizohen listat për të filluar gjobitjet prej 30 për qind të pagave të tyre. Ai deklaron se këtë vit janë rreth 11 mijë zyrtarë publik të cilët kanë kryet obligimin ligjor me kohë. Për herë të parë janë përfshirë në këtë proces edhe stafi mjekësor, por janë gjashtë mjekë e dy profesorë, të cilët nuk kanë deklaruar pasurinë.
Buleshkaj thotë këtë vit se nuk ka krerë të shtetit, ministër, deputetë, kryeshef ekzekutiv e drejtor të përgjithshëm që nuk ka deklaruar pasurinë.
Buleshkaj: Kemi rreth 11 mijë zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë këtë vit
“Kemi rreth 11 mijë zyrtarë që e kanë kryer këtë obligim këtë vit (deklarimin e pasurisë). Krahasuar me vitin e kaluar, ky numër është më i madh por nuk është tepër më i madh për shkak që këtë vit i kemi dy kategori shtesë dhe ata janë mjekët dhe profesorët. Por, asamblistët që janë mbi njëmijë sosh nuk kanë qenë të obliguar që ta kryejnë këtë obligim. Kemi një ulje prej rreth një mijë dhe shtim prej rreth dy mijë, që i bie diku afërsisht një mijë më shumë zyrtarë se vitin e kaluar. Kemi pranuar më shumë se 11 mijë deklarime, këto janë gjithmonë barazohen me numër të zyrtarëve publikë për shkak se kemi pasur deklarime me marrje të detyrës dhe të rregullta apo kemi pasur deklarime nga largimi nga pozita apo të pensionimit. Në qoftë se krahasojmë me vitet paraprake, kemi më shumë se dyfishim të deklarimit apo të personave që kanë kryer deklarimin e pasurisë”, shprehet ai.
Këtë vit në procesin e deklarimit të pasurisë kanë marrë pjesë mjekët dhe profesorët. Ai thotë se ka pasur një hezitim të mjekëve që ta realizojnë këtë obligim.
Buleshkaj: Gjashtë mjekë dhe dy profesorë nuk e kanë deklaruar pasuritë
“Nga 2400 profesorë dhe mjekë, i kemi pasur vetëm gjashtë të cilët nuk kanë kryer këtë obligim me kohë. Kemi dy profesorë dhe gjashtë mjekë por kur kemi të bëjmë me deklarimin e rregullt të atyre të cilët tashmë e dinë këtë proces se si rrjedh dhe janë në sistem, e kemi pasur një përgjigje më të dobët. E kemi pasur tashmë nga verifikimet që po realizojmë, edhe pse fillimisht kanë qenë 200, kemi rreth 100 të cilët i kemi verifikuar që nuk e kanë kryer këtë obligim me kohë. Arsyeja pse po bie numri është edhe për shkak të pozitave të shumëfishta, sepse ka mjaft, po e zëmë, deputet i cili është edhe mjek dhe ka realizuar deklarimin e pasurisë si mjek dhe nuk është i obliguar që ta bëjë dy herë”, shton Buleshkaj.
Secili nga zyrtarët që nuk e kanë kryer obligimin me kohë do të pranojnë një gjobë nga 30 për qind të pagës së tyre.
Buleshkaj: Jemi duke bërë edhe përgatitjet për shqiptim të gjobave
“Jemi duke bërë edhe përgatitjet për shqiptim të gjobave. Ideja jonë është që nga java e ardhshme të kemi një listë përfundimtare dhe të fillojmë me shqiptimin e gjobave, me vendimet për shqiptimin e gjobave, ku secili nga këta që nuk e ka kryer këtë obligim brenda afatit, do të pranojë një gjobë prej 30 për qind të pagës së tyre…Këtë vit në lidhje me deklarimin e pasurisë të mjekëve, profesorëve por edhe deklarimit të rregullt, nuk kemi dorëzuar ende ndonjë kallëzim penal. Kemi dorëzuar disa raste por që ndërlidhen me verifikimin e pasurisë të filluar vitin e kaluar dhe nuk ndërlidhen me rastet e këtij viti. Jemi në proces të përfundimit të verifikimit të plot të pasurisë që ka filluar për plot raste vitin e kaluar. Ne shpresojmë që të kemi numër sa më të vogël të rasteve që do të dërgojmë në prokurori, por nga ato që i di, tashmë nuk do të jetë shumë i vogël ky numër”, shprehet ai.
Numri më i madh i zyrtarëve publikë që nuk kanë deklaruar pasurinë janë policët.
Buleshkaj: Rreth 20 për qind e policëve nuk e kanë deklaruar pasurinë
“Kemi një numër tepër të madh të zyrtarëve nga Policia e Kosovës të cilët kanë dështuar të kryejnë këtë obligim në kohë. Nga totali po mbet rreth 20 për qind nga Policia e Kosovës të cilët nuk e kanë kryer këtë obligim me kohë. Pastaj kemi edhe agjenci të tjera të rëndësishme, kemi pasur ATK-në, të cilët kanë pasur një numër të konsiderueshëm edhe pse ndoshta si numra nuk janë shumë të mëdhenj nga totali i Policinë që janë 10 mijë. Kemi pasur numër të madh edhe të doganës të cilët nuk kanë deklaruar në krahasim me institucionet tjera”, përfundon ai.
Afati i fundit për deklarimin e pasurisë ka qenë data 31 mars.