Media raportoi dje për një incident që ka ndodhur të mërkurën në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ku një zyrtare e këtij institucioni, po dyshohet se e ka kërcënuar një person. E dyshuara ndodhet në ndalim policor dhe ndaj saj kanë nisur hetimet, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Kanosje”.
Sinjali ka mësuar se zyrtarja e Prokurorisë Sabrie Osmani po dyshohet se e ka kërcënuar prokuroren e Departamentit për Krime të Rënda, Dulina Hamiti.
Sipas informacioneve të para, që pritet të konfirmohen pasi të sigurohen provat e nevojshme, zyrtarja Osmani është përfshirë në një konflikt verbal dhe dyshohet se e ka kërcënuar prokuroren Hamiti teksa ndodheshin në një zyrë të Prokurorisë.
Posa Policia është vënë në dijeni për rastin pas denoncimit të prokurores, zyrtarja e dyshuar e PTh-së është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur dhe ndër të tjera, e ka mohuar ta ketë kërcënuar Hamitin.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se hetuesit policorë kanë intervistuar edhe dëshmitarë lidhur me rastin, të cilët kanë qenë në afërsi të zyrës ku dyshohet se plasi sherri, për motive akoma të panjohura.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarës dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.
Media ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për të marrë një konfirmim zyrtar lidhur me rastin, por të njëjtit akoma nuk kanë kthyer përgjigje.