Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Kjo urrejtje do të çojë në përplasje të dy popujve”/ Ngrihet alarmi: SHBA të jetë vigjilente për rrezikun nga propaganda serbe

Serbia akoma vazhdon të mos e pranojë faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe ka kufijtë e saj

Si e tillë, Serbia asnjëherë nuk është ndalur së kërcënuari Kosovën, në të gjitha format, madje edhe duke shkaktuar tensione së fundi në veri të vendit.

Aq larg shkon dashakeqësia e saj, deri te thirrjet nacionaliste të tifozëve në ndeshjet futbollistike.

Së fundi, është raportuar se edhe rrugët në Serbi janë mbushur me grafite nacionaliste, nëpërmjet të cilave është dhënë një mesazh “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

E sipas ekspertëve propaganda serbe kundër Kosovës gjen mbështetje tek autoritetet shtetërore atje.

Shala: Propaganda e grupeve ekstremiste serbe kanë një fole të jashtëzakonshme nga mbështetja institucionale të Serbisë

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë Drizan Shala, vlerëson se propaganda serbe ka një fole dhe mbështetje nga institucionet në Serbi, andaj përçojnë edhe mesazhe të këtij lloji.

Ai shton se edhe media CNN, ka përcaktuar një shkallë të rrezikshmërisë për të pasur nxitje të veprimeve në rajon që e atakojnë edhe hapësirën e Kosovës.

“Propaganda e grupeve ekstremiste serbe kanë një fole të jashtëzakonshme nga mbështetja institucionale të Serbisë të cilët i tolerojnë që përmes kësaj “lufte hibride ” të përçoj mesazhe me karakter të brendshëm dhe të jashtë të saj.

Mediumi CNN ka përcaktuar një shkallë të lartë të rrezikshmërisë për të pasur tentativa për nxitje të veprimeve në rajon që e atakojnë edhe hapësirën e Kosovës e cila është duke e monitoruar dhe kontrolluar çdo lëvizje të këtyre elementeve të grupeve ekstreme serbe, kriminale dhe atyre institucionale të Serbisë”, përfundon Shala.

Elezi: Parullat e tilla, janë nxitje të urrejtjes

Image
Bedri Elezi

Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, në në përgjigje për “Bota sot” ka thënë se kjo fushë e Serbisë ka për qëllim nxitje e urrejtjes ndëretnike dhe inkurajimin e serbëve për t’u bashkuar grupeve kriminale në veri.

Sipas tij, thirrje të tilla nuk ka vetëm Serbi, por edhe në Republika Serbska në Bosnje.

“Në vazhdimësi jemi duke parë se në Serbi janë duke u shfaqur grafite të ndryshme nacionaliste të cilat kanë qëllim nxitjen e urrejtjes ndëretnike, e po ashtu edhe tensionimin e situatës së sigurisë, sidomos inkurajimin e serbëve për t’u bashkuar grupeve kriminale në veriun e Mitrovicës, të cilat në vazhdimësi janë mbështetur nga strukturat e sigurisë serbe dhe ruse.

Grafitet e tilla janë parë gjithandej në Serbi, poashtu edhe në ndeshje të futbollit, në organizime të tjera, të vendosura afishe apo parulla të ndryshme ku është kërkuar nga ushtria e qeveria e Serbisë të dërgojë forcat ushtarake në Kosovë, në veri.

Këto thirrje janë vërejtur jo vetëm në Serbi, por edhe në Republikën Serpska në Bosnje, po ashtu kohën e fundit edhe në Rusi.

Këto afishe nuk janë vetëm në qytetin e Beogradit por në të gjithë territorin e Serbisë, dhe ka pasur edhe fushata të ndryshme, aktivitete të ndryshme, takime edhe me qytetarë, ku është sqaruar nevoja që të organizojë ushtrinë për të dërguar në veriun e Mitrovicës”, shpjegon ai.

Tutje, ai shton se fushata e tilla po bëhen për të marrë edhe mbështetjen për dërgimin eventual të ushtrisë në kufi por edhe për ngritjen e nivelit nacionalist në territorin e Serbisë.

Andaj, Elezi thotë se kjo situatë duhet të analizohet nga SHBA, sepse ndryshe kjo urrejtje mund të çojë në përplasjen mes shqiptarëve dhe serbëve.

Po ashtu ka pasur takime me struktura lokale e komunale, sepse siç duket Beogradi zyrtar përmes shërbimeve sekrete, po mundohet të bind popullatën, përkatësisht të marrë mbështetjen qytetare për dërgimin eventual të forcave në kufi, apo mund të themi për të ngritur edhe nivelin nacionalist në gjithë territorin e Serbisë.

Këto fushata duhet të analizohen mirë nga faktori ndërkombëtar sidomos nga strukturat e sigurisë së SHBA-së, të cilat janë garantuese e paqes dhe sigurisë në rajon dhe në botë, dhe të njëjtat të trajtohen duke organizuar takime me udhëheqësit e Serbisë ndaj të cilëve të kërkohet të merren masa serioze ndaj grupeve që organizojnë këtë lloj fushate, ngase kjo urrejtje do të çojë në përplasje të dy popujve, shqiptarë dhe serbë, veçmas do të nxisë reagime të ashpër në veri të Mitrovicës, me çka mund të eskalojë situata e sigurisë.

Me eskalimin e situatës në veri, jemi të vetëdijshëm se do të ketë impakt edhe vendet tjera siç është Mali i Zi, Bosnja, po ashtu efekte mund të kemi edhe në Maqedoni.

Prandaj SHBA duhet ta trajtojnë këtë temë me interes të shtuar, inteligjenca të ngritet në nivelin më të lartë, të mësohet mirë filli se nga kush organizohet kjo lloj fushate dhe të njëjtin të dalin para drejtësisë”, përfundon ai.