Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KKSH fton për unifikim subjektet politike në Luginën e Preshevës

Këshilli Kombëtar Shqiptar ka bërë thirrje për unifikim faktorit politik shqiptar në Luginën e Preshevës. Ftesën për këtë e ka bërë kryetari i KKSH-së Nevzad Lutfiu, duke thënë se Lugina është e shtypur dhe diskriminuar nga Serbia dhe debati mes shqiptarëve nuk shpie askund.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, përmes një njoftimi në Facebook, ka ftuar subjektet politike në Luginën e Preshevës për të qenë të unifikuara.

Ai këtë ftesë e ka bërë pas debatit të ashpër që po zhvillojnë disa nga përfaqësuesit e partive politike në Luginën e Preshevës, pas ngjarjeve të fundit në veriun e Kosovës.

“Në kohën kur partitë politike në Kosovë janë unifikuar për një interes nacional dhe kanë një qasje karshi situatës së fundit, është i pakuptueshëm dhe shumë i dëmshëm debati dhe akuzat mes subjekteve politike në Luginë”, ka shkruar Lutfiu.

Ai ka thënë se si asnjëherë më parë, në këtë moment Lugina ka nevojë për maturi dhe vetëpërmbajte.

“Neve kemi një problem, diskriminimin dhe shtypjen që na bën Serbia dhe fokusi ynë duhet të konsistoj pikërisht në këto tema. Andaj, i ftoj pa përjashtim gjithë partitë politike në Luginë të jenë të unifikuar dhe të tërhiqen nga ky diskurs komunikimi që nuk na çon askund”, ka shkruar Lutfiu.