Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

KMSHK, gazetarëve: Raportimi në situata të ndjeshme, të krizës dhe në tragjedi kërkon kujdes, ndjeshmëri e profesionalizëm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) thekson se javët e fundit gazetarë kanë raportuar për situata krize brenda dhe jashtë vendit, me ç’rast Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka evidentuar raportime që shkelin kodin etik, përkatësisht kanë probleme të theksuara etike.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e raportimit në këto raste, KMShK thekson se raportimi në situata të ndjeshme, në situata të krizës dhe në tragjedi kërkon kujdes, ndjeshmëri e profesionalizëm.

Është e rëndësishme që në situata të tilla gazetarët dhe mediat të kenë kujdes në mënyrën se si raportojnë dhe çfarë i ofrojnë publikut. Sipas Kapitullit VI të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, trajtimi i rrëfimeve për tragjeditë duhet të zhvillohet me kujdes dhe vetëm kur ka interes të lartë publik mbi çështjen. Nëse interesi publik është i lartë, atëherë ndaj të gjithë të prekurve nga tragjedia duhet pasur qasje mirëkuptimi, mbrojtje të privatësisë, mbulim të fytyrës dhe diskrecion”, thuhet në njoftim.

Po sipas kodit etik, mediat duhet të respektojnë të drejtën e njerëzve për të mbajtur zi dhe duhet të raportojnë duke treguar empati dhe vetëpërmbajtje.

KMSHK po ashtu thekson se mediat duhet të respektojnë vuajtjet e viktimave dhe ndjenjat e familjarëve të tyre. Po ashtu, mediat duhet të tregojnë maturi me fotografitë dhe pamjet, si dhe duhet të kenë në konsideratë ndjeshmërinë e publikut gjatë raportimit.

“Edhe Kapitulli VII i kodit flet për respektimin e dinjitetit të viktimave dhe familjeve të tyre, duke mos i paraqitur në media fotografitë, videot apo incizimet tjera të të aksidentuarve, të të dhunuarve, të të vrarëve, të të vetëvrarëve apo personave të lidhur me ta, e në veçanti fëmijëve që janë pjesë e aksidentit, incidentit, fatkeqësisë natyrore apo veprës penale. Mediat e shkruara edhe gjatë raportimit duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht, duke i trajtuar me shumë kujdes ngjarjet e tilla”, thuhet në reagim.

KMSHK rikujton se mediat nuk duhet që fotografitë ose videot nga vendi i ngjarjes t’i publikojnë pa mbuluar identitetin apo trupin e viktimave pas aksidentit, incidentit, dhunës, fatkeqësisë natyrore apo veprës penale.

“Publikimi i fotografive ose videove të tilla do të konsiderohet fyerje për ndjenjat e familjarëve të viktimave dhe të ndjeshme për publikun. Mediat e shkruara nuk duhet të publikojnë lajme me fotografi apo video ku paraqiten viktimat apo personat e zhdukur dhe të njëjtit në raportim të identifikohen me emër dhe mbiemër. Përjashtim nga publikimi i emrit e mbiemrit janë rastet kur për viktimat apo personat e zhdukur ka interes publik”, thuhet më tej.

Në reagimin e KMSHK-së po ashtu thuhet se edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, nëpërmjet kodit të etikës, iu bën thirrje mediave të respektojnë dinjitetin e personave të cituar dhe/ose të përfaqësuar, duke u përmbajtur nga publikimi i imazheve tronditëse që shpesh shpërndahen gjerësisht në rrjetet sociale.

Neni 9 i  Kartës Globale të Etikës ripohon, gjithashtu, se gazetarët duhet të sigurojnë që shpërndarja e informacionit ose opinioneve të mos kontribuojë në urrejtje ose paragjykim.

Edhe neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shtron nevojën për respektimin e jetës private dhe familjarë në rrethana të ndryshme.

Andaj, gazetarët dhe mediat duhet të kenë parasysh që:

Është e nevojshme që të mbrohet identiteti i viktimave.

Publikimi i identitetit të viktimave varet nga interesi publik dhe mbetet në diskrecionin e mediave, bazuar në kodin e etikës.

Viktimave në fotografi e video duhet t’iu mbulohet fytyra ose të paktën pjesa e syve.

Duhet pasur kujdes gjatë raportimit për kufoma / trupa të vdekur, për të plagosur, pamje gjaku etj.

Në artikull / storie duhet të vendoset paralajmërimi për përmbajtjen mediale që ka të bëjë me përmbajtje të papërshtatshme ose të ndjeshme.

Nuk duhet ekspozuar kategoritë e cenueshme të shoqërisë dhe gjendja emocionale e të afërmve të viktimave.

Nëse autoritetet zyrtare – por jo vetëm – publikojnë përmbajtje të ndjeshme, atëherë mediat duhet pasur kujdes që të mbulojnë pjesët problematike, të ndjeshme, të fotografive ose videove.

Jo gjithçka që prezantohet nga autoritetet – por jo vetëm – duhet marrë si e mirëqenë.

Gazetarët dhe mediat duhet të tregojnë kujdes se çfarë i ofrojnë publikut.

Duhet shmangur raportimin sensacional.