
Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet e ka quajtur “çmenduri” ndalimin e mundshëm të progresit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Knaus ka kërkuar një takim të jashtëzakonshëm nga ministrat e jashtëm në Strasburg, për të adresuar çështjen e aplikimit të Kosovës në KiE.
“Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai në platformën X.
Po ashtu, ai e ka vlerësuar si “shumë të mirë” propozimin e Qeverisë së Kosovës për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit në lidhje me anëtarësimin në Këshill.
Knaus ka shtuar se injorimi i formulës së Ahtisaarit për paqe dhe rekomandimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të ishte “fatale për ministrat e jashtëm”.