Të paktën sipas besimit dhe doktrinës Islame, të parin në dheun e tokës, Zoti e krijoi Ademin, ndryshe Adamin siç e njeh krishterimi.
Burrit të parë i’u shtua edhe gruaja e së bashku u shtuan e u shtuam, dhe erdhëm këtu ku jemi.
Me kalimin e kohës lindën vendbanimet, rrodhën qytetet e lindën qytetërimet.
Në qoshet e vargmaleve, buzë lumit e liqenit, afër bregdetit, në qoshen e malit, në skajin e rrugës, në hyrjen e lagjes, në qendrën e fshatit, nën hijen e drurit, rrëz degës së ullirit, në ballkonin e shtëpisë, për qindra e mijëra vite, qindra, miliona e miljarda njerëz, kanë qarë hallet, kanë shënuar e festuar gëzimet, me gosti e dolli, me këngë e valle, në muzgun e ditës e t’natës, nën rrezet lindjes perëdnimit të diellit, e nën dritën e hënës, me ujë, ushqim, me verë, me raki e me birrë.
Që nga lashtësia njerëzit kanë kërkuar vende për të ngrënë, për të pirë dhe për të shijuar mbrëmjen.
Edhe shqiptarët janë pjesë e këtij karvani.
Dollinë, gëzimet e hidhërimet secili i pret dhe i shijon në mënyrën e tij. E përbashkëta dhe e pandryshueshmja që nga lashtësia është tryeza, karriget, ushqimi, pijet, muzika, me raste vallëzimi e edhe valltaret.
Kjo kulturë, për dikë ves i keq, kultivohet e jetohet edhe në Kosovë, madje për çdo natë.
Në Rajonin e Prizrenit por edhe më gjerë, për vite me radhë adresa kryesore e meraklive të nejave të natës ishte lokali “Kobra City”.
Natën e tretë të vitit të ri, në vitin 2023, erdhën ta festjonë edhe tre djemë të rinjë nga Shqipëria. Rutgen Tsvyatkova (Shehu), Arben Basha dhe Visar Cengu e kaluan kufirin dhe ndejën e nisën në lokalin në periferi të Prizrenit.
Për Visar Cengun kjo ishte festa dhe nata e fundit në jetës.
Përafërsisht pak minuta para orës 04:00, pas mesnatës, brenda lokalit nisi një zënkë ose rrahje.
Siç e përshkruan më vonë aktakuza e Prokurorisë Speciale e ngritur më 20 shkurt 2024, arsya e kësaj zënke që do të përfundonte me vrasje ishte refuzimi i tre të rinjëve që ta paguajnë faturën e pijeve e ndoshta edhe ushqimit, nëse ka pasur.
Në rrahjen me tre të rinjtë nga Shqipëria, do të përfshiheshin, Roland Susuri, Jesmir Badallaj, Arben Vezaj. Emra ndaj të cilëve do të ngritej aktakuzë për pjesëmarrje në rrahje.
Grafikë – Aktakuza e Prokurorisë Speciale – 20.02.2024
“… me qëllim të frikësimit të të dëmtuarve Rutgen Tsvyatkova (Shehu) dhe Arben Basha, si dhe tani të ndjerit Visar Cengu, të cilët refuzonin ta paguajnë faturën prej rreth 400€, gjatë rrahjes, të pandehurit Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj e kanë rrok armën, dhe atë njëri pistoletën “Çeska Zbrojovka model CZ J 10” e kalibrit 9Xl9mm, ndërsa tjetri pistoletën Tulla Tokarev (TT) model 33, e kalibrit 7.62 mm, kurse i pandehuri Arben Vezaj një shkop bejsbolli — mjet të përshtatshëm për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor”, thuhet në aktakuzë.
“Ndoshta, ndoshta, sepse më duket ka pasur ngatërresë që brenda, mesa e mora vesh unë dhe ka pasur një konflikt aty. Unë tek këta tre që i njoh, kam bindjen e plotë se këta nuk kanë pasur kurrë lidhje me bie fjala një konsumim të një ushqimi të darkes dhe të mos e paguajnë, nuk e besoj. Ata kanë qenë të tre quna shumë të mirë, të sjellshëm, të komunikueshëm, për faktin se në makinën e tyre nuk ka pasur as edhe një mjete luftaraka a ndonjë gjë sado e thjeshtë, dëshmon se ata kanë qenë tre idinvida paqësor kanë ardhë me e konsumu një darkë.”, tha Besim Cengu – Xhaxhai i viktimës.
Kjo deklaratë është dhënë nga Besim Cengu, pak orë pasve vrasjes së nipit Visarit.
Deklarata as nuk është përballje me aktakuzën e as koment i historisë në kohën e tashme por po transmetohet me qëllimin që të paraqesim qëndrimet e familjes pak orë pas vrasjes.
Pra rrahja në lokal sipas aktakuzës nisi për 400 euro, faturë të cilën thuhet se kanë refuzuar ta paguajnë mysafirët që e festuan natën e tretë të vitit të ri, bëhej fjalë për 3 janari e 2023-s.
Para se ta shpjegojmë se çka ndodhi pas rrahjes në lokalin Kobra City, duhet ta theksojmë se Roland Susuri dhe Jesmir Badallaj akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve.
“Absolutisht fare, nuk ka pasur kurrë djali ynë i ndjerë konflikt me askë, mund të ketë qenë ndonjë konflikt si thonë kështu, me shokët e vetë por ka qenë ordiner.”, vijoi ai.
Pas konfliktit që përfundoi me rrahje në skenë doli pronari i kafiterisë “Kobra City”, Dibran Hoxhaj, njeriun që rrethi i Prizrenit e tash e gjithë Kosova e njeh si Kobra.
Sipas aktakuzës në lokalin në magjistralen Prizren-Zhur, Hoxhaj arriti rreth orës 04:10, të mëngjesit.
Kobrën e kishte lajmëruar dikush se 3 mysafirë po refuzojnë ta paguajnë faturën 400 euro.
Sipas aktakuzës tre djemtë nga Shqipëria pas rrahjes me punëtorët e lokalit hipën në një veturë “Mercedes” me targa të Anglisë, me qëllim që të largohen.
Por atyre rrugën ua preu, Dibran Hoxha, në vendngjarje Kobra arriti me një xhip të bardhë Audi Q7, me targa të Gjermanisë.
“… (Dibran Hoxha) ka hyrë në lokal dhe ka marrë pistoletën gjysmë-automatike “Çeska Zbrojovka model CZ 110”, e kalibrit 9X19 mm, përsëri ka dalë i është afruar veturës “Mercedes,” e cila ka qenë duke u nisur, dhe nga motive të ulëta — demonstrimi i forcës së paskrupullt dhe kërcënim për të gjithë ata që e kundërshtojnë atë në çfarëdo mënyre, e ka hapur derën e vozitësit të dëmtuarit Rutgen Tsvyatkova (Shehu) dhe me pistoletën e lartcekur ka shkrepur një herë në të dëmtuarin duke i shkaktuar plage tejshkuese ne regjionin e kofshës së djathtë.”
Pas kësaj të rinjtë e rritën shpjetësinë e lëvizjes me qëllim që t’i ikin më të keqes.
“Po, nuk e di nuk mund të japë një definicon, sepse është shpejtë, ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, nuk rezultohet të ketë pasur, edhe makina në të cilën ka qenë djali me dy shokë të tij, nuk ka pasur armë. Pasi janë pirë janë zënë aty.”, tha Besim Cengu – Xhaxhai i viktimës
Sipas aktakuzës posa Mercedesi doli në rrugë, tashmë i akuzuari, Dibran Hoxha, e shkrepi armën edhe 4 herë duke e qëlluar veturën në pjesën e pasme, me ç‘rast e plagosi Visar Cengun i cili ishte në ulësen e pasme të veturës.
Visarin një plumb e kishte goditur në shpinë, rreth 2 cm larg shtyllës kurrizore. Pas plumbit erdhi gjakderdhje e brendshme, Visari pësoi shok të rëndë traumatik hemorragjik. Ai vdiq rrugës për në spitalin e Kukësit.
“Ka pasur goditje nga pas, pas që është nisur makina. Edhe njëri na ka vdekur, nipi im, tjetri është plagosur… brenda veturës nga pas është gjuajtur, sepse edhe predha ka qenë në shpindë e ka kapur mushkërinë edhe një pjesë të zemrës dhe djali ka vdekur në vend.”, tha Besim Cengu – Xhaxhai i viktimës.
Dibran Hoxhaj akuzohet për vrasje të rëndë, dhe posedim të pa-autorizuar të armëve.
Por historia nuk përfundon këtu. Roland Susuri dhe Burim Mazreku janë pjesë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale, si të akuzuar për manipulim të provave.
“… i pandehuri Burim Mazreku, sipas kërkesës së të pandehutit Dibran (Hoxhaj) e ka fsheh pistoletën me të cilën është kryer vepra penale nga dispozitivi I, si dhe armën tjetër, të dyja të cekura në dispozitivin paraprak 1/2, duke i lënë në parcelën me numër Cadastral 08974-0, e cila gjendet në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, në afërsi të lokalit “Cobra City” ku edhe janë gjetur nga ana e policisë me dt. 17.01.2023, ndërsa i pandehuri Roland Susuri e ka heq dhe e ka fshehur në vend të paidentifikuar DVR-në e kamerave të sigurisë te lokalit.”, thuhet në aktakuzë.
Pikërisht për çështjen e pamjeve dhe të DVR-it ose pajisjes që i ruan pamjet e kamerave brenda një objekti, i akuzuari për vrasjen e rëndë ka folur në seancën fillestare.
“Zotni, ku e keni DVR-in? Keni me pjellë DVR-in, që 16 muaj jam t`u majtë burg. U kry! Keni me pjellë, unë këtu nuk e njoh kërkon hiç, që 16 muaj po mbaj burg, keni me pjellë DVR-in. Çomëni ndaq në burg, ndaq kudo, keni me pjellë!”, kishte thënë Dibran Hoxhaj.
Për këtë arsye Hoxhaj për pak minuta u largua nga salla.
Në seancën e 7 marsit të këtij viti, kërcënimet prap kishin vazhduar.
“Unë i bëj thirrje familjes së të ndjerit dhe kushdo që të jenë, unë po du që ta gjejnë veten këtu, po kur s’jam unë e kush ka bo pazare me mu, oficerë-policë apo këta, e atëherë masandej… veç në Jupiter të shkofshin. Për Dibranin ma asnjë vërejtje s’ke me pas deri në fund, ki me pa, po ta jep fjalën që jo për frikë, për frikë në bunar m’u mshefë, kam me ndejt gjithmonë në heshtje. Ju kërkoj falje… kushdo që ka bo pazar policë apo këta me jeten teme…”, kishte thënë Dibran Hoxhaj.
Pos Hoxhës dhe katër të tjerëve të cilët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat për të cilat akuzohen, kishte folur edhe prokurorja e cila kishte folur për shkakun që dyshohet se e solli vrasjen.
“E ka hapur deren e vozitësit, të dëmtuarit Rutgen Shehu dhe me pistoletën e lartcekut ka shkrepur një herë në të dëmtuarin duke i shkaktuar plage tejshkuese në regjionin e kofshës së djathtë, e pastaj kur i njëjti e ka rritur shpejtësinë dhe automjeti ka dalë në rrugë ka shtënë edhe 4 herë duke e qëlluar veturën në pjesën e pasme, me crast viktimën Visar Cengu i cili ka qenë i ilir në ilësen e pasme të vetures një plmb e ka gotidur në shpinë.”, tha Merita Bina – Rugova – Prokurore.
“Është mirë që drejtësia të merret me ta, është mirë që të mos nxisë qoftë vëllain qoftë neve me indeferencë, do të thotë nuk duhet të jetë në indiferencë. Është shumë mirë që organet kompetente në Kosovë në Prizren sidomos, por edhe në Shqipëri ta shqyrtojnë këtë rast. Është detyrimisht që shqyrtimi i rastit dhe arritja deri te e vërteta e amortizon sado pak situatën. Në rast se do të ketë indiferencë, atëherë nuk do të ketë indiferencë tek krahu jonë, nuk do të ketë.”, tha Besim Cengu – Xhaxhai i viktimës.
Me deklaratën e xhaxhaxit të viktimës e cila është dhënë pak orë pas vrasjes së nipi, Visar Cengut, kalojmë tek pjesa e fundit e kësaj historie.
Kush është Dibran Hoxha, dhe cila është e kalauar e Kobrës?
Mes viteve 2007 dhe 2021, Gjykata Themelore e Prizrenit ndaj tij kishte shqiptuar 16 aktgjykime. Shumica e këtyre aktgjykimeve, janë dënime me gjobë, përkundër që Hoxha në disa raste ishte dënuar për lëndim të rëndë trupor dhe armëmbajtje pa leje.
Kjo është historia e vrasjes në lokalin “Kobra City” dhe e pronarit të saj, i cili sigurisht është vetëm i akuzuar për këtë rast. Edhe për të por edhe për të gjithë personat që u përmendën, do të ketë një proces gjyqësor në të cilin Gjykata do të vendos, nëse janë ose jo fajtor për veprat për të cilat akuzohen.
E rrëfejmë një histori tjetër, por prap qëndrojmë në Rajonin e Prizrenit. Madje shkojmë vetëm pak kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja e parë e parë.
Prap qëndrojmë në fshatin Zhur. Është muaji janar, 2020.
Rrëfimi dhe historia që do ta dëgjoni, rretht për rreshti, bazohet në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e ngritur 14 muaj pas ngjarjes që do ta rrëfejmë.
Valbon Çollaku, ky emër besoj që për shumicën prej juve nuk thotë asgjë, pra nuk e njihni. Por për të mund të keni dëgjuar në kronikat e lajmeve, në edicionet qendrore.
Prokuroria Themelore e Prizrenit Çollakun e kishte akuzuar se gjatë janarit të 2020-s në bodrumin e banesës së tij në Prizren, është takuar me dy persona, për një punë jo fort normale.
“I akuzuari Valbon Çollaku
… të akuzarve Iran Badalli dhe Arben Gashi ua ka dhënë një kapsollë elektrike dhe një kapsollë tjetër mekanike me fitil të marrura nga Republika e Shqipërisë, e pastaj u aka mbushur edhe një shishe prej letre tetrapak me pleh kimik – Nitrat Amoni, që e kishte përzier me përbërës të naftës, të cilin eksploziv më pastaj e kanë vendosur në një pako. E ka marrë i akuzuari Iran pakon në fjalë dhe e ka lënë në ulësen e parë të veturës ku ulet vetë, e pastaj i akuzuari Arben Gashi ia paguar shumën 400 euro dhe me veturën të cilën e drejton largohet nga vendi i ngjarjes.”, thuhet në aktakuzë.
Çollaku akuzohej për import, eksport, furnizim, traportim, prodhim këmbimi, ndërmjetësim, ose shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse. Ai kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.
Gjykata në Prizren të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë 1,000 euro dhe dënim me kusht me 6 mua burgim, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.
Pra deri këtu u sqaruam. Çollaku e kishte pranuar se i ka furnizuar me eksploziv, Iran Badallin dhe Arben Gashin.
Për këtë dy të fundit aktakuza thotë se pasi janë furnizuar me mjetet shpërthyese, ato i kanë fshehur në krevatin e fëmijëve, në shtëpinë e të akuzuarit Iran Badalli, në Zhur të Prizrenit.
“… pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më datë 28.01.2020, rreth orës 20:00 në kontakt me këtë mjet i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtarit policor, Sami Thaçi.”, thuhet në aktakuzë.
Polici Sami Thaçi mbeti i vdekur në vend, ngjarje vërtetë tronditëse.
Të lënduar rëndë dhe me pasoja të përhershme mbetën policët Artur Mrasori dhe Jetmir Hsanaj. I lënduar me ta mbeti edhe polici Arsim Bytyçi, bashkë me një fëmijë me inicialet S.B.
Iran Badalli dhe Arben Gashi për këto veprime akuzoheshin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm si dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Procesi gjyqësor në Themeloren e Prizrenit kishte nisur dhe të akuzuarit e kishin thënë fjalën e tyre, posaçërisht vlen të veçohen fjalët përfundimtare.
“Unë kërkoj nga trupi gjykues veç drejtësi me pas kurrgjë tjetër…veç drejtësi me pas se unë nuk kam të bëjë me këtë rast asnjë send hiç, veç montime m’i kanë ba këta mu”, kishte thënë Iran Badalli – I akuzuar më vonë dënuar edhe nga Apeli.
“Ngushëllime pikë së pari familjes së të ndjerit, më vie keq për shokët, për këta tjerët të lënduarit më vie keq. Pranoj veprën prej te Valbon Çollaku deri te fshati Zhur që e kemi bart bashkë me Iranin që e kam bart atë mjet, pajtohem me çdo veprim të gjykatës, jam kryefamiljar…kërkoj nga gjykata të më jepni një dënim më të butë”, kishte thënë Arben Gashi – I akuzuar më vonë dënuar edhe nga Apeli.
Më 19 shtator, 2023, Gjykata Themelore në Prizren e dha verdiktin e saj. Iran Badalli dhe Arben Gashit, u dënuan me nga 12 vjet burgim, secili veç e veç. U shpallën fajtor për të dyja veprat penale.
“Të akuzuarin Iran Badalli për veprën penale, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 356 paragrafi 5,4, 1…..me dënim me burgim me kohëzgjathje prej 11 viteve. Për veprën penale armëmbatjej pa-leje, nga … me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.”, ishte shprehur Ajser Skenderi- Gjyqtare
Por, ky dënim nuk po u pëlqeu palëve. Avokatët e familjes së policit të vdekur, dhe ai i viktimave, vlerësuan se drejtësia është jetësuar pjesërisht.
“Konsiderojmë se vendimi mbi dënimin është i butë në raport me veprimet dhe pasojat që ka shkaktuar të njëjtit, por sot megjithatë fito drejtësia.”, ishte shprehur Blerim Mazreku – Avokat i familjes Thaçit
“Si përfaqësues i palëve të dëmtuara do të ushtrojmë ankesë, sepse bartja e eksplozivit nuk është sikurse bartja e një pistolete në rruët e qyteteti e sidomos me pasojat që i ka shkaktuar.”, kishte thënë Besnik Berisha – Përfaqësues i palëve të dëmtuara
Dënimin e kishte kundërshtuar edhe pala tjetër.
“Është i pa-arsyeshëm, është i penvojshëm, kështu që konsiderojmë se vendimi nuk kishte arsyetim të denjë, edhe gjatë shqyrtimeve gjyqësore por edhe gjatë fjalës përfundimtare, kemi deklaruar që nuk kanë asnjë provë ose fakt që mund ta vërtetojnë që Iran Badalli e ka kryer veprën penale.”, tha Valdrin Gashi – Avokat i Iran Badallit
Gjatë shkurtit të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar dënimin. Pra në fuqi beti dënimi me nga 12 vjet burgim veç e veç, për Iran Badallin edhe Arben Gashin.
Por mbrojtja e tyre nuk është dorëzuar, e ka ndër mend t’i shkojë rastit edhe më tutje. Ata i janë drejtuar edhe Gjykatës Supreme nga e cila po presin që ta thotë fjalën, ndoshta të fundit.
Prizreni me rrethinë ishin tronditur nga këto dy ngjarje. Në afërsi dhe brenda një fshati të vogël, për 3 vite ndodhën dy skenda të rënda krimi. Të dyja në muajin janar, shpërthimi në fillim të 2020-s, dhe vrasja në oborrin e lokalit “Kobra City” në fillim të 2023-s.
Këto dy vrasje do të mbeten gjatë të ngulitura në kujtesën e gjithësecilit, sidomos në mendjet e banorëve të Zhurit.
Në ditët e para të studimeve në gazetari pyetja me të cilin na sfidonin më së shumti profesorët ishte: Çka është lajmi?
Ndonëse në ndërdijen tonë por edhe vetëdijen e përgatitjen intelektuale, ishim pak të përgatitur për këtë sfidë, përgjigja e zakonshme ishte: lajm është gjithçka që ndodhë dhe ndikon në jetën tonë.
Nëse jo në jetët e çdo banori të Zhurit dhe rrethit të Prizrenit, të paktën ditët e para pas këtyre ngjarjeve, vrasjet ndikuan në ndjenjën e të qenurit i sigurt.