Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, është një ndër deputetët e Kuvendit që janë kundër Projektligjit të Kodit Civil.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, shprehet se qëndrimi i tij nuk ndryshon dhe sipas tij, Kodi Civil nuk vjen në Kuvend në këtë mandat, por edhe nëse vjen me atë përmbajtje, nuk kalon.
“Në secilën intervistë po vazhdon të bëhet kjo pyetje, e kam thënë se nëse Kodi vie qëndrimi është i njëjtë, nuk ndryshon aspak. Unë mendoj se ai Kod Civil me atë përmbajtje, në këtë mandat nuk vjen në Kuvend, por nëse vjen me atë përmbajtje, absolutisht nuk do të kalojë, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit janë kundër saj mënyre dhe asaj çka ministria dëshiron të promovojë ose të legjitimojë në Republikën e Kosovës”, thotë ai.
I pyetur nëse kanë presione për ta votuar këtë Projektligj, për të cilin ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet të kalojë dhe se presin votat edhe të deputetëve që kanë votuar kundër, Rrahmani thotë se nuk kanë pasur as diskutime për këtë çështje në Grup Parlamentar.
“Asnjë diskutim rreth kësaj çështje nuk e kemi pasur as në Grup Parlamentar e askund, përveç në ministri në qoftë se ata i kanë bërë, për shkak se edhe si procedurë, ligji fillimisht procedohet në ministri, pastaj vjen dhe në Kuvend. Jo presion por s’ka pasur as diskutim për këtë çështje për projektligjin që është hedhur poshtë me votën e deputetëve në Kuvend”, thekson deputeti për Gazeta Blic.Por, ai ka përmirësuar Konjufcën për deklaratën se janë 5-6 deputetë kundër këtij projektligji, duke thënë se kundër tij janë 29 deputetë dhe 4 ose 5 të tjerë që kanë abstenuar.
“Këtu edhe kisha dashur ta përmirësoj pak në një intervistë kryeparlamentarin e Kosovës, para dy-tre dite, ku thotë që pesë-gjashtë deputetë kanë qenë që kanë votuar kundër, pjesa tjetër kanë abstenuar. Në fakt është krejt e kundërta, janë 29 deputetë që kanë votuar kundër, 28 kanë votuar për dhe kanë qenë diku 4 ose 5 abstenime nga deputetët. Pra, shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës e kanë votuar kundër këtë ligj, por besoj se kryeparlamentarit i ka ikur si informacion”, deklaron deputeti i VV-së, Eman Rrahmani.